Breaking News

Vetëm 1 rast pozitiv në 24 orët e fundit në Shqipëri

15 të shëruar në 24 orët e fundit. 78% e të prekurve tashmë janë të shëruar në Shqipëri.

Dr. Adela Vasili nga Instituti i Shëndetit Publik dha detajet:

Ju bëjmë me dije të dhënat e 24 orëve të fundit të situatës së COVID 19 në Shqipëri.

Në vend vazhdon shfaqja e rasteve sporadike, ndërsa situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme. Marrja në kohë e masave, respektimi i distancimit fizik, ruajtja e higjienes personale kanë rolin kryesor në shfaqjen e një kurbe epidemike të butë.

Gjatë 24 orëve të fundit kemi të konfirmuar vetëm 1 rast pozitiv në Tiranë, nga 177 testime të kryera për të dyshuar të prekur me Covid19.Të shëruar janë 15 qytetarë.Në spitalin Infektiv, gjendja paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 15 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre në terapi intensive.Prej më shumë se dy javësh fatmirësisht nuk kemi asnjë humbje jete.Deri më sot janë kryer rreth 13 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 949 qytetarë. Prej tyre, rreth 78% janë të shëruar.Në vendin tonë aktualisht janë 176 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

Edhe pse situata paraqitet e kontrolluar, vetë qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik, duke ruajtur higjienën personale, duke shmangur vizitat tek të afërmit.