Breaking News

Thaçi në një mënyrë sekrete ka provuar një agjendë të prekjes së kufijve të Kosovës

Për politikanen kosovare Edita Tahiri, Albin Kurti nuk i ka rrezikuar marrëdhëniet me SHBA-në, pasi këto marrëdhënie, sipas saj, kanë një histori të gjatë dhe ndajmë vlera të përbashkëta euroatlantike.

Në një emision televiziv, Tahiri tha se këto marrëdhënie nuk mund të cenohen kaq lehtë. Ajo shtoi se nuk i pëlqeu ndarja pro dhe kundër amerikane që ndodhi në Kosovë për shkak të çështjes së taksës. Tahiri theksoi: “Nuk besoj se Albin Kurti e ka rrezikuar miqësinë me SHBA, pasi marrëdhëniet e Kosovës me të kanë një histori të gjatë dhe ndajmë vlera të përbashkëta euroatlantike. Nuk mund të cenohen kaq lehtë këto marrëdhënie. Por kur ka mosmarrëveshje me aleatët në qeveri duhet të shikohen më mirë dhe nuk me pëlqeu kjo ndarja pro dhe kundër amerikane, pasi vizioni ynë është euroatlantik. Amerika është e rëndësishme si aleti kryesor, por vendet e Evropës e kanë mbështetur gjithmonë Kosovën”. Tahiri tha se kjo çështje delikate si në planin e brendshëm dhe ashtu në planin ndërkombëtar, pasi, sipas saj, presidenti Thaçi në një mënyrë sekrete ka provuar një axhendë të prekjes së kufijve të Kosovës. Ajo shtoi: “Kjo është një çështje delikate si në planin e brendshëm dhe ashtu në planin ndërkombëtar. Presidenti Thaçi në një mënyrë jo transparente madje sekrete ka provuar një agjendë të prekjes së kufijve të Kosovës, kur përgjigja në Kosovë dhe Shqipëri ka qenë kundër. Rama që në një mënyrë që u futën këto gjëra, tani është shumë më i kujdesshëm. Ndërsa sa i takon Thaçit gjëra akoma nuk janë të qarta. Vetë SHBA dhe Grenell-i mohuan një shkëmbim territoresh, ndërsa Gjermania është totalisht kundër. Tani puna jonë është që t’i bashkojmë këto dy qëndrime të SHBA dhe Evropës dhe të kemi një zë në diplomaci. Nëse kemi një zë publik dhe sekret është diçka e dëmshme, jo se mund të arrijë diçka Thaçi, po është e dëmshme për Kosovën”.