Breaking News

Coronavirusi, dyshime për ndihmat dhe Qendrën ruse në Serbi

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, ka thënë se do t’i dërgojë në Serbi 11 aeroplanë transportues ushtarakë, të cilët do të dërgojnë pajisje mjekësore dhe pajisje mbrojtëse kundër pandemisë së coronavirusit.

Eksperti i sigurisë Agim Musliu ngriti dyshime për këtë. “Edhe në Itali, Rusia ka dërguar ndihma ushtarake që shumica kanë qenë maska. Kjo është propagandë ruse për ta fshehur dështimin brenda Rusisë dhe keqpërdorimin e COVID-19 me qëllim ripozicionimin gjeostrategjik të saj në botë”, ka thënë Musliu. Gjersa në Serbi po flitet për arritjen e ndihmave nga Rusia, Musliu shton edhe një pyetje retorike dhe një konstatim. “Ku është e ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish? Ata thonë se merren me kriza humanitare. Ata nuk po dëgjohen asgjëkund. Kjo e jep vet përgjigjen: Kjo Qendër është ashtu siç ka deklaruar NATO-ja dhe ekspertët perëndimorë – qendër spiunazhi dhe jo humanitare!”, deklaroi Musliu. Dërgimi i 87 ushtarakëve rusë, me pajisjet ushtarake do t’i shërbejë pushtetit në Serbi të p[ropagandojë se po marrin ndihma nga bota, kurse Rusisë do t’i krijojë favore për ta përmirësuar imazhin aty ku mundet, ka përfunduar Musliu.