Breaking News

Covid-19 ka mbërthyer keq Evropën

Italia ka kapërcyer 101 mijë raste pozitive me koronavirus ndërsa numri i viktimave është mbi 11 mijë.

Italia ka regjistruar sot 812 viktima gjatë 24 orëve të fundit. Numri total i tyre ka arritur në 11 591, ndërsa numri i personave të infektuar është 101 739. Janë regjistruar 4050 pacientë të infektuar më shumë se një ditë më parë. Pacientë të shëruar janë 14 620 e janë 1590 pacientë të shëruar gjatë 24 orëve të fundit. Në Spanjë 6400 raste të reja u konfirmuan të hënën, rritja më e ulët e rasteve të reja për një javë. Në total, viktimat kanë shkuar në 7340 pas 812 viktimave të 24 orëve të fundit. E gjithë kjo vjen ndërsa masat e izolimit janë shtyrë dhe punonjësit jo të domosdoshëm do të qëndrojnë në shtëpi edhe për dy javë. Shifrat më të fundit kombëtare të Spanjës, tregojnë se vala në rritje e rasteve është sheshuar – tha ministri i jashtëm Arancha Gonzalez. Zyrtarët spanjollë shpresojnë se kulmi i epidemisë po afrohet e pas kësaj, rastet e reja dhe viktimat do të vijnë në ulje. Gjermania ka evituar deri më tani një bilanc tragjik në përmasat e Spanjës apo Italisë por raportoi të hënën një rritje të numrit të rasteve, 4751, duke e çuar totalin në 57 mijë. Vendi ka raportuar 541 viktima, një numër ky i ulët në krahasim me vendet e tjera. Departamenti i Shëndetit në Britaninë e Madhe njoftoi sot në Twitter se 22,114 persona kanë rezultuar pozitivë në testin për koronavirusin. Qeveria botoi gjithashtu numrin e vdekjeve në vend që ka arritur 1,408. Nga 134.946 teste të kryera, 112,805 kanë rezultuar negativë. Covid-19 ka prekur edhe zyrtarët më të lartë në Britaninë e Madhe, mes të cilëve kryeministrin Boris Johnson dhe Ministrin e Shëndetësisë Matt Hancock.