Breaking News

Bashkimi Evropian tradhton Ballkanin për virusin Korona

Vendimi i Bashkimit Europian për të kufizuar eksportin e pajisjeve mjekësore nga Bashkimi Europian drejt vendeve të tjera, përfshirë Ballkanin Perëndimor, ngjalli zemërim të madh. Kryeministri Edi Rama tha se blloku nuk mund dhe nuk duhet në asnjë mënyrë ta përjashtojë Ballkanin, ndërsa kreu serb Vuçiç tha se kjo masë tregon se solidariteti europian nuk ekziston.

Kufizimi i eksporteve të pajisjeve mjekësore nga Bashkimi Europian, përfshirë edhe drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor ka ngjallur zemërim të madh. Pasi bisedoi në telefon me presidenten e Komisionit të BE-së Ursula Von Der Leyen, kryeministri Edi Rama tha se blloku nuk mund dhe nuk duhet në asnjë mënyrë ta përjashtojë Ballkanin Perëndimor nga aksesi tregtar në këto mallra kaq esencialë për shëndetin e popujve tanë.

“BE të mos e përjashtojë Ballkanin Perëndimor, edhe Shqipërinë si pjesë e rajonit, nga perimetri i eksporteve të materialeve dhe pajisjeve mjekësore në përpjekjen  e duhur dhe legjitime për të unifikuar proceset e brendshme të tregtisë së mallrave që lidhen me shëndetësinë  . . .  ne si qeveri e Shqipërisë kemi përgatitur një nismë rajonale për të adresuar si 6 vendet e Ballkanit njëzëri këtë nevojë në drejtim të BE,” tha kryeministri Rama.

Vendimi për të kufizuar eksportin e pajisjeve mjekësore do të jetë i vlefshëm për gjashtë javët e ardhshme. I revoltuar presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se masa ishte provë se solidariteti europian nuk ekziston, duke e quajtur atë një “përrallë në letër”.

Ai gjithashtu njoftoi se Serbia do t’i drejtohet Kinës, dhe do të kërkojë ndihmën e presidentit kinez, Xi Jinping, për të blerë pajisje mjekësore dhe për të marrë ndihmën e mjekëve kinezë.

Kina ka dërguar një kontingjent ndihmash në Itali dhe një grup mjekësh për ta ndihmuar vendin të ndeshet me shpërthimin e koronavirusit. Gjithashtu presidenti kinez Xi Jinping, premtoi ndihmë shtesë për Italinë. Ai u bëri thirrje kompanive kineze që të eksportojnë drejt Italisë çdolloj pajisje mjekësore.

Shumica e vendeve anëtare të BE-së janë duke u ballafaquar me një numër në rritje të të infektuarve me koronavirusin e ri. Gjithashtu nga Kina është përfshirë në nismat e ndihmës edhe miliarderi dhe bashkëthemeluesi i grupit Alibaba, Jack Ma. Ai premtoi të dhurojë maska, veshje mbrojtëse dhe reagentë për analizat për të gjitha vendet afrikane.