Breaking News

Greqia: Marrëveshja Turqi-BE për emigrantët ka marrë fund

Greqia e ka quajtur të  vdekur marrëveshjen mes Turqisë dhe BE për monitorimin dhe kontrollimin e emigrantëve.

Forcat kufitare turke kanë lëshuar gaz lotsjellës ndaj kolegëve grekë që po zmbrapsin mijëra emigrantët e gatshëm për të hyrë në territorin e Greqisë. BE-ja thotë se nuk do i nënshtrohet presionit të Turqisë. Në kufirin tokësor mes Turqisë dhe Greqisë të premten u rritën sërish tensionet. Tentativat e emigrantëve për të hyrë në territorin grek u zmbrapsën me gaz dhe makina ujë hedhëse. Por siç u paralajmërua një ditë më parë, edhe rojat kufitare turke të mbledhura në anën tjetër të kufirit lindor, lëshuan predha lotsjellëse në drejtim të efektivëve grekë që kthenin pas emigrantët. Turqia ka bërë të ditur se 1 mijë trupa taktike janë mobilizuar për t’iu përgjigjur akteve të dhunës ndaj azilkërkuesve dhe rikthimit të tyre në kufirin turk. Sipas Ankarasë, çështja e një emigranti që pretendohet se është qëlluar për vdekje nga oficerët grekë do të çohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Mijëra emigrantë dhe refugjatë janë përpjekur të kalojnë drejt Greqisë e Bullgarisë prej datës 27 shkurt. Turqia ka hapur kufijtë e saj me arsyetimin se nuk ka kapacitetin për të strehuar mbi 3,6 milionë të shpërngulur nga Siria dhe kombësi të tjera. Bashkimi Evropian ka ofruar ndihma financiare për të përballuar fluksin. Ankaraja e ka refuzuar këtë qëndrim dhe kërkon nga Evropa angazhim praktik për emigrantët, që të bëhet i mundur çlirimi i zonave në rajonet siriane për të kthyer azilkërkuesit në vendlindjen e tyre.