Breaking News

Edhe Kosova fillon të ndjejë rrezikun nga virusi i ri Korona

Përhapja e Coronavirusit në shumë shtete në afërsi të Kosovës po rrezikon edhe vendin.

Që nga java e kaluar infektologët thonë se vazhdimisht kanë pasur raste të dyshuara me këtë virus, shkruan sot Zëri.

Ndonëse në shumë shtete të afërta me vendin është përhapur koronavirusi, në Kosovë deri tani nuk është raportuar asnjë rast i prekur me të. Megjithatë, që nga java e kaluar vazhdimisht janë raportuar raste të dyshimta me këtë virus. Që nga data 8 shkurt rreth 36 persona janë dyshuar me koronavirus në vend, të cilët më pastaj rezultuan të jenë negativë ndaj tij.

Derisa qindra raste me koroanvirus janë raportuar në Itali, shumë kosovarë që jetojnë në këtë shtet gjatë javës së kaluar janë kthyer në Kosovë. Për “Zërin” është thënë se gjatë ditës së enjte dhe të diel do të ketë fluturime nga Italia. Derisa edhe nga pikat tokësore kufitare mijëra udhëtarë nga shtetet tjera kanë hyrë në vend. Me përhapjen e këtij virusi në shtetet tjera të afërta është rritur edhe më shumë rreziku i përhapjes së tij në vend.

Infektologu në Klinikën Infektive në QKUK, Valbon Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se rreziku i paraqitjes së rasteve me koronavirus në vend është rritur dukshëm, sa ka qenë para dy javësh.

Ai është shprehur se prej javës së kaluar pothuajse çdo ditë kanë pasur raste të dyshimta me këtë virus. “Është rritur rreziku derisa është përhapur në vendet përreth, pothuajse shumica e vendeve të afërta kanë raportuar rastet e para. Dimë situatën në Itali dhe është normale që rreziku është dukshëm më i madh sesa që ka qenë para dy javësh. Prej javës së kaluar, kur janë raportuar të dyshimtët e parë, pothuajse çdo ditë kemi disa raste që vinë si të dyshimta, por deri tani asnjë prej tyre nuk ka rezultuar pozitiv”, ka deklaruar ai. Përndryshe, Krasniqi ka thënë se për personat që dyshohen të jenë të infektuar me koronavirus është caktuar një hyrje e veçantë në Klinikë.

Sipas tij, në atë pjesë personeli shëndetësor përdor pajisjet personale mbrojtëse. “Për personat e dyshuar me koronavirus është e caktuar hyrja e veçantë, reparti i veçantë i izolimit e është dhoma e veçantë e gjithë personeli shëndetësor që merret me trajtimin e tyre i përdor masat mbrojtëse, duke përfshirë pajisjet mbrojtëse personale, siç janë aprovuar edhe sipas standardeve”, ka shtuar ai.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë bërë të ditur se nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”, si dhe nga pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 1 mijë e 223 udhëtarë. Nga aeroporti “Adem Jashari” 322 udhëtarë, në Vërmicë 367, në Merdarë 461, te Hani i Elezit 22, te Dheu i Bardhë 37, në Kullë 7 dhe në Qafë Morinë 7 udhëtarë. Nga ky Institut është thënë se në aeroport ekipet mjekësore kanë kontrolluar të gjithë udhëtarët e ardhur të dielën nga Verona e Italisë dhe se kontrollet janë duke vazhduar.

Mbi 1 mijë e 500 të infektuar në Itali, 34 viktima

Numri i të prekurve me koronavirus në Itali ka shënuar rritje ditëve të fundit. Deri tani në këtë shtet janë konfirmuar mbi 1 mijë e 500 të infektuar dhe 34 viktima. Ndërkohë, 83 persona janë shëruar nga ky virus, ndërsa 739 pacientë ndodhen të shtruar në spital, ku 140 prej tyre janë në terapi intensive. Në nivel kombëtar raportohet se janë kryer 21 mijë e 127 tamponë për koronavirus.

Përndryshe, ministrat në Romë kanë ndërmarrë masa drastike për të luftuar kundër shpërthimit të koronavirusit, duke përfshirë ndalimin e ngjarjeve publike dhe ngritjen e pikave të kontrollit policor rreth qyteteve të kontaminuara.

Në gjithë botën 3 mijë të vdekur nga koronavirusi

Rreth 3 mijë persona kanë vdekur deri tani nga koronavirusi në botë, derisa vlerësohet se rreth 90 mijë persona janë të infektuar me të. Më shumë se 90 për qind e të vdekurve janë nga Hubei, krahina kineze ku virusi u shfaq për herë të parë në fund të vitit të kaluar.

Të vdekur ka pasur edhe në dhjetë vende tjera, ku mbi 50 janë në Iran dhe mbi 30 të tjera në Itali. Koronavirusi është shpërndarë në më shumë se 50 shtete të botës. Së fundmi Çekia ka konfirmuar tri rastet e para të koronavirusit. Raste me të janë raportuar edhe në SHBA, ku edhe janë shënuar dy viktima. Ndërsa edhe në Portugali janë regjistruar dy rastet e para të koronavirusit.

Rreth 130 të prekur me koronavirus në Gjermani

Numri i rasteve me koronavirus është shtuar edhe në Gjermani. Së fundmi është raportuar se numri i të prekurve me këtë virus ka shkuar në 129. Kancelarja Angela Merkel gjatë një vizite në elektoratin e saj në Stralsund kishte deklaruar se duhet të merren masa mbrojtëse.

Përhapja e koronavirusit në këtë shtet kishte filluar më 25 shkurt, me lajme ku ishte raportuar se tre persona ishin të infektuar. Pastaj u njoftua për disa fëmijë nga një kopsht fëmijësh në qytetin Heinsberg, të cilët mund të ishin infektuar nga një mësuese e çerdhes. Kosovarët që jetojnë në Gjermani janë shprehur të shqetësuar për përhapjen e virusit. Ata i kanë treguar gazetës se një numër i madh i qytetarëve kanë filluar të blejnë ushqime rezervë dhe se po shihet mungesa e këtyre ushqimeve në disa dyqane ushqimore.

Masat mbrojtëse ndaj koronavirusit

Për shkak të informimit më të mirë për koronavirusin e për masat mbrojtëse që duhen të merren ndaj tij në institucionet arsimore në Kosovë ka filluar shpërndarja e materialeve të edukimit dhe të promovimit shëndetësor, organizimi i ligjëratave të përkushtuara njohurive për koronavirusin e dezinfektimi i shtuar i të gjitha sipërfaqeve dhe i nyjave sanitare.

Gjatë ditës së djeshme ekspertët e Institutit Kombëtar kanë mbajtur ligjëratat me nxënësit e shkollave të komunës së Gjilanit për koronavirusin dhe kanë shpërndarë material me rekomandime për t’u mbrojtur nga ai. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë disa herë ka rekomanduar qytetarët që të marrin masa mbrojtëse ndaj koronavirusit. Nga ky institut është thënë se nuk ka vend për panik, por që qytetarët duhet të kenë kujdes të shtuar. Ky institut ka rekomanduar qytetarët që t’i shmangin kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes, të shmangin përshëndetjen me shtrëngim të duarve, të lajnë shpesh duart, të evitojnë përdorimin e tualeteve publike e të pinë më shumë ujë, lëngje e çaj me limon