Breaking News

Irani fillon projektin e prodhimit të vaksinës kundër koronavirusit

Universiteti i Shkencave Mjekësore Baghietallah në Teheran ka nisur tre projekte kërkimore me qëllim zbulimin e vaksinës kundër Covid-19.

Doktor Alireza Xhalali, drejtor i Universitetit të Shkencave Mjekësore Baghietallah në Teheran njoftoi këtë të enjte, 27 shkurt, se që nga java e kaluar komitetet shkencore të institutit të tij janë mobilizuar për të zbuluar ilaçin më efektiv kundër koronavirusit, si dhe për të ofruar metodat më të fundit të trajtimit për kurimin e pacientëve që vuajnë nga ky virus. “Javën e kaluar, filluan tre projekte të reja për të zhvilluar vaksinën dhe medikamentin kundër koronavirusit. Ne presim që ata të arrijnë një rezultat të kënaqshëm në tre deri në gjashtë muajt e ardhshëm”, tha ai. Duke folur për eksperiencën e suksesshme të Iranit për prodhimin e vaksinës kundër gripit, doktor Alireza Xhalali shpresoi të njëjtën gjë edhe për koronavirusin dhe tha: “Për momentin është e pamundur të jepen detaje për projektet e trajtimit të Covid-19. Duhet thënë që Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e kërkimit dhe industrisë së Gardës Revolucionare marrin pjesë në fazat e realizimit të projektit të nisur në qendrën gjenetike të Universitetit Baghietallah. ” “Aktualisht, mjekët dhe studiuesit kanë përfunduar hartimin e planit të zhvillimit të vaksinave. Projekti do të financohet nga Universiteti Baghietallah si dhe dy universitete të tjera “, shtoi ai. Duke e konsideruar ilaçin bimor si ilaçin e tretë për shërimin e njerëzve me koronavirus, zyrtari iranian tha: “Specialistët e mjekësisë tradicionale po kryejnë hulumtime për të gjetur një ilaç bimor”, duke shpresuar se të tre projektet do të çojnë në zbulimin e një kurimi përfundimtar për Covid-19.