Breaking News

Në Itali, shkon në 7 numri i personave që humbën jetën nga virusi Korona

Italia shënon viktimën e shtatë nga koronavirusi, ndërsa numri i personave të infektuar ka shkuar në 230.

Një grua nga Crema që rezultonte pozitiv ndaj testit humbi jetën në një spital civil në Brescia ku ishte transferuar të dielën, 23 shkurt. Dy viktimat e tjera të ditës së sotme ishin 2 të moshuar, 84 dhe 88 vjeç. Ndërkohë viktima e fundit e regjistruar është një i moshuar në moshën 80 vjeç në Milano.

Deri më tani janë shënuar 230 raste të të infektuarve në të gjithë vendin: Lombardia është zona më e prekur me 172 të infektuar, 32 në Veneto, 16 në Emilia-Romagna, 3 në Piemonte, 1 në Romë.

Milano duket i zbrazur, shkolla të mbyllura, metro dhe trena të zbrazët. Në Veneto, një fermer 60-vjeçar dyshohet si ”pacienti zero” që mund të ketë përhapur koronavirusin pasi kishte qenë në Codogno dhe qendra të tjera në zonën e Lodmbardisë dhe tani ka simptoma të kollës dhe gripit.

Në Vo ‘Euganeo (Padova), ku u regjistrua viktima e parë, masat e mbrojtjes së “zonës së kuqe” fillojnë në orën 7. Mbi 50 mijë njerëz janë vendosur në karantinë në komunat e izoluara.

Autoritetet kanë izoluar 11 bashki midis Lombardisë dhe Venetos, në zonat e shpërthimeve. Në zonën e Lodit, policia bllokoi zonat e hyrjes dhe daljes, duke njoftuar shoferët se sapo të hynin në bashki, ata nuk do të mund të dilnin dhe anasjelltas.