Breaking News

Kina vazhdon të luftojë me virusin korona

Numri i vdekjeve nga virusi korona në kinë dhe në vende të tjera të botës ka kaluar shifrën 1700 persona. Autoritetet kineze kanë ndërmarrë masa të gjëra në kuadër të luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), ku njëra ndër to është dhe dezinfektimi i bankënotave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave kineze, Banka Qendrore e Kinës njoftoi se kanë filluar dezinfektimin e parave që kanë qenë në qarkullim në periudhën e kaluar. Dezinfektimi i parave bëhet me rreze ultravjollcë dhe në temperatura të larta, ndërsa planifikohet që bankënotat e përdorura të mbeten në kasafortë nga shtatë deri në 14 ditë. Më tej theksohet se bankat në rast nevoje, klientëve të tyre mund t’u japin para të reja të papërdorura, ndërsa paratë që janë “vendosur në karantinë” përsëri do të lëshohen në qarkullim pas skadimit të periudhës së kontrollit. Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë (NHC) sot njoftoi se në 24 orët e fundit kanë vdekur 142 persona të infektuar, me çka numri i të vdekurve nga virusi i rrezikshëm ka kaluar në mbi 1700 persona. Deri më tani janë konfirmuar 68.500 raste të personave të prekur nga virusi, kurse në 24 orët e fundit u konfirmuan 2.009 raste të reja. Për herë të parë koronavirusi u shfaq në qytetin kinez Wuhan në fund të viti të kaluar dhe filloi të përhapet me shpejtësi, ndërsa më shumë se 20 vende të botës kanë konfirmuar praninë e virusit.