Breaking News

Trump publikon “marrëveshjen e shekullit”, thotë se Kuds do të jetë ‘kryeqyteti i pandarë i Izraelit’

Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur vendimin e tij jashtëzakonisht të diskutueshëm për Jeruzalemin e okupuar si “kryeqyteti i pandarë i Izraelit”, pasi ai publikoi planin e administratës së tij për konfliktin palestinezo-izraelit, të cilin palestinezët tashmë e kanë hedhur poshtë.

Duke kundërshtuar zemërimin ndërkombëtar, Trump të martën njoftoi dispozitat e përgjithshme të planit që ai e ka quajtur “marrëveshje të shekullit” në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në krah të tij. E gjithë skema, shtoi ai, është shkruar në 80 faqe, 50 prej të cilave, sipas Reuters, përfshijnë vija politike të veprimit, ndërsa pjesa tjetër detajon një propozim ekonomik që Uashingtoni e shpalli korrikun e kaluar. “Sipas këtij vizioni, Jeruzalemi do të mbetet kryeqyteti i pandarë i Izraelit – shumë i rëndësishëm – i pandarë”, tha ai për planin. Për vite me radhë, SHBA kishte shmangur shpalljen e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit në mungesë të një marrëveshje, pasi palestinezët gjithashtu e duan qytetin e shenjtë si kryeqytetin e tyre. Megjithatë, në një formë të mjegullt, Trump shtoi se palestinezët gjithashtu mund të kishin një kryeqytet në Jeruzalemin Lindor. Pjesa ekonomike premton 50 miliard dollarë në ndarje monetare për palestinezët, Jordaninë dhe Egjiptin. Palestinezët kanë denoncuar pjesën e fundit të skemës amerikane si një ryshfet për shitjen e të drejtave të tyre. Më shumë se 600,000 izraelitë jetojnë në mbi 230 vendbanime të ndërtuara në territorin Palestinez të Bregut Perëndimor që nga okupimi izraelit i vitit 1967. Trump tha se në bazë të planit të tij, askush nuk do të “shpërngulej”, me sa duket duke njohur vendbanimet e ndërtuara në tokën e okupuar Palestineze. Zyrtarë të lartë të administratës, të cilët njoftuan Reuters për detajet e planit, gjithashtu thanë se ai përmban njohjen e kolonive. Presidenti amerikan, megjithatë, pretendoi se Izraeli do të ngrijë aktivitetet e tij të ndërtimit të kolonive për katër vjet “ndërsa shtetësia palestineze është duke u negociuar”, shtoi agjensia. Tel Avivi asnjëherë nuk është zotuar plotësisht për ngrirje të tilla, duke bërë që të prishet çdo proces negociues. Trump tha se propozimi i tij përfshin një hartë që përshkruan “dy shtete” dhe pretendoi se shteti palestinez do të ishte “dyfishi i madhësisë” së tokës që palestinezët kontrollojnë aktualisht. “Vizioni im siguron një mundësi fituese për të dy palët. Një zgjidhje realiste me dy shtete që zgjidh rrezikun e shtetësisë palestineze për sigurinë e Izraelit”, tha Trump. Trump e ftoi Netanjahun dhe kundërshtarin e tij kryesor, Benny Gantz, në Shtëpinë e Bardhë këtë javë për të biseduar rreth propozimit. Netanjahu tha se plani i Trumpit njohu sovranitetin e Izraelit mbi zona të tjera të mëdha të territorit Palestinez, përfshirë Luginën e Jordanit, dhe se marrëveshja do të kërkonte të çarmatoste plotësisht Hamasin. Ai e quajti skemën “një plan të shkëlqyeshëm për Izraelin … një plan të shkëlqyeshëm për paqen” dhe “një rrugë realiste” që “krijon ekuilibrin e duhur atje ku të tjerët kanë dështuar”. Benny Gantz tha se plani ishte një “hap i rëndësishëm dhe historik” që ai do të punonte për ta zbatuar nëse zgjidhet. Sidoqoftë, liderët palestinezë munguan në këtë prezantim. Ata prej kohësh e kanë hedhur poshtë planin e Trump si të njëanshëm ndaj tyre dhe e kundërshtuan paraprakisht propozimin e tij. Zyrtari i Hamasit Sami Abu Zuhri reagoi duke i cilësuar deklaratat e Trump për planin e tij “agresive” dhe propozimet e tij për Jeruzalemin “të pakuptimta”. “Deklarata e Trump … do të shkaktojë shumë zemërim,” tha ai, duke shtuar se Jeruzalemi “gjithmonë do të jetë një tokë për palestinezët”. Ismail Hanijeh, kryetari i Byrosë Politike të Hamasit dhe Mahmud Abas, presidenti i Autoritetit Palestinez, zhvilluan një bisedë të rrallë telefonike përpara eventit të Shtëpisë së Bardhë.