Breaking News

Media shqiptare, vret të vërtetën?

Një fjalë e urtë shqiptare të cilën e përmend shpesh edhe shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, thotë “Ra ky mort e u pamë”. Çfarë domethënie ka kjo fjalë e urtë? A mendon dikush akoma për thënie të tilla?! Po për dinjitet apo moral të punës profesionale bëhet fjalë diku?

A mund të flitet akoma për paanshmërinë e mediave shqiptare?

Pse mediat shqiptare nuk mund t’i dallojnë luftëtarët që luftojnë për çlirimin e vendeve të tyre nga autorë të sulmeve terroriste?

Ku mbeti humanizmi dhe përgjegjësia për kërkimin e të vërtetës në mediat shqiptare?

Si u shndërrua pushtimi i paligjshëm i vendeve në luftë për demokraci, ndërsa lufta për çlirim, në akte terroriste?

Fillimi i vitit 2020, u përshkua me ngjarje të ndryshme dhe më e rëndësishmja ndodhi në rajonin më të komplikuar të botës, do të thotë në Lindjen e Mesme. Kjo ngjarje ishte kryerja e një sulmi terrorist dhe një akti kriminal nga ana e Amerikës që vrau gjeneral Kasem Sulejmanin, komandantin e forcës Kods të Gardës Revolucionare të Republikës Islamike të Iranit, Abu Mahdi Al-Muhendis, zv/shefin e forcave vullnetare popullore Hashd Sha’bi të Irakut dhe shoqëruesit e tyre. Sulmi terrorist i Amerikës u krye me anë të një droni i cili lëshoi raketa dhe goditi makinat që transportonte këta funksionarë shtetërorë të dy vendeve të pavarura që njihen zyrtarisht nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, do të thotë Irakut dhe Iranit. Ky sulm terrorist i ushtrisë amerikane u krye në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit.

Kjo është e vërteta e ngjarjes dhe realiteti të cilin duhet t’a ketë parasysh çdo media pavarësisht animeve e prirjeve të saj apo edhe financimin nga e merr!

Ashtu si shumë vende të botës, edhe autoritetet dhe mediat e Shqipërisë dhe të Kosovës paraqitën reagimet e tyre, secili e secila me mekamin e vetë, por që ndiqnin të njëjtën valle! Atë të qeverisë amerikane. Por, është tepër e pakuptueshme se për çfarë arsye paraqiten kaq shumë të verbëruar sa që anashkalojnë edhe realitetet më të qarta të cilat i vëren shumë mirë edhe një fëmijë i shkollës fillore!

Këtu kemi të bëjmë me funksionarë të dy shteteve të pavarura të botës, Irakut dhe Iranit të cilët janë vrarë nga ushtria amerikane. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën Gardën Revolucionare të Republikës Islamike të Iranit si organizatë terroriste dhe këtë e bënë vetëm për interesat dhe arrogancën e tyre, e jo për interesa të Bashkësisë Ndërkombëtare. Ky është realitet që e pohojnë vetë autoritetet amerikane dhe të analistët e shumë mediave botërore. Por çështja të cilën e anashkaluan tërësisht këtyre ditëve mediat shqiptare, është fakti se këta dy funksionarë u vranë në Irak i cili konsiderohet dhe njihet si vend i pavarur në botë! Pyetja që duhet bërë për mediat shqiptare është kjo se çfarë bën ushtria amerikane në Irak? Pse në mediat shqiptare që flasin për terrorizmin e Iranit, nuk përmendet fare fakti se Amerika me preteskte të pabaza dhe pa mandatin e KS të OKB-së, e pushtoi ushtarakisht Irakun dhe gjatë këtij pushtimi vrau me qindra mijëra civilë irakianë? Si është e mundur që një shtet tjetër t’a pushtojë ushtarakisht një vend të pavarur, ndërsa mediat shqiptare për këtë pushtim t’a akuzojnë një vend tjetër? Amerikanët, së bashku me gjeneral Kasem Solejmanin vranë edhe Abu Mahdi Al-Muhendis, zv/shef i forcave vullnetare Hashd Sha’bi të Irakut. Vlen të theksohet se këto forca numërojnë mbi 30.000 trupa dhe me ligjin e Irakut, këto forca janë pjesë e strukturave ushtarake të Irakut dhe nuk janë “milici shiite” të Iranit siç thuhet në propagandën amerikane. Përveç kësaj, këto forca luajtën rolin kryesor në luftën kundër grupit terrorist ISIS të cilin e themeloi vetë Amerika dhe këtë të vërtetë e ka pohuar në mënyrë shumë të qartë edhe ish-sekretarja amerikane Hillary Clinton në librin e saj, ndërsa Trump në fushatën elektorale akuzoi Omabën për krijimin e ISIS-it. Kjo do të thotë se Amerika në këtë akt terrorist në radhë të parë vrau një funksionar të lartë ushtarak të Irakut që vepronte nën drejtimin e kryeministrit të këtij vendi.

Nëse dikush akoma nuk mund t’a besojë se ISIS ishte pjellë e vetë Amerikës, mund t’a lexojë librin e Hillary Clinton. Gjithashtu duhet theksuar se në kohën kur grupi terrorist ISIS pushtoi disa rajone të Irakut në vitin 2012-2013, qeveria e Irakut i kërkoi ndihmë Amerikës që kufizohej vetëm në ndihma me pajisje ushtarake dhe jo me trupa ushtarakë, por qeveria e presidentit amerikan Barack Obama e refuzoi këtë kërkesë të Irakut. Koalicioni i ashtuquajtur ndërkombëtar i Amerikës kundër ISIS sipas deklaratave të vetë amerikanëve, kishte për qëllim vetëm të administronte krizën dhe jo të luftonte terrorizmin në mënyrë të vërtetë. Pastaj në fund kur ISIS e humbi luftën, me siguri se do të krijoheshin disa skena për prodhimin e filmave të Hollywoodit, sepse do t’i duhen për fushatën elektorale të presidentit amerikan. Megjithatë siç duket, as këto veprime nuk i bënë punë Donald Trump, sepse iu zbuluan skandale nga më të ndryshme dhe Kongresi i Amerikës miratoi thirrjen e tij në interpelancë.

Sa i përket çështjes së vrasjes së Abu Mahdi Al-Muhendis, duhet theksuar se Amerika është shtet pushtues i Irakut dhe ka kryer edhe një krim tjetër në mesin e qindra mijëra krimeve të tjera kundër njerëzimit. Kjo është ajo çfarë mediat shqiptare e propagandojnë luftë për demokraci!!! Vlen të theksohet se Amerika e pushtoi Irakun pa miratimin e KS të OKB dhe pa ftesën e qeverisë së Irakut. Ndoshta mediat shqiptare kanë shpikur ndonjë përkufizim të ri rreth “agresionit ushtarak të një shteti kundër një vendi tjetër të pavarur”! Nëse është kështu, është mirë që të tregojnë haptazi edhe për publikun në mënyrë që të ndahet gruri nga tërshëra! Përveç kësaj, Abu Mahdi Al-Muhandisë që nga viti 1986, ka zhvilluar veprimtari politike dhe rezistencës të armatosur kundër ish-diktatorit irakian Sadam Husejn deri në rrëzimin e tij dhe shkatërrimin e regjimit Ba’th të Irakut.

Në lidhje me gjeneral Kasem Solejmanin, komandantin e forcës Kods të Gardës Revolucionare të Republikës Islamike të Iranit, propaganda e mediave shqiptare bëhet edhe më qesharake dhe shumë më e turpshme. Propaganda e mediave shqiptare në lidhje me këtë funksionar të një shteti të pavarur anëtar të OKB-s, është shumë më amerikane e më sioniste, se sa vetë propaganda e mediave amerikane siç është “Zëri i Amerikës”.

Në radhë të parë mund të veçohen deklaratat e autoriteteve të qeverive të Shqipërisë e Kosovës. Me të vërtetë duket se është pyetje serioze kjo se këto deklarata a bëhen me të vërtetë nga mos informimi apo nga servilizmi ekstrem. Është me rëndësi që një vend të qëndrojë përkrah një aleati, por a nuk duhet pak mend me pyetur se çfarë veprimesh bën ai “aleat”?! Të pretendosh se Amerika është aleat i Kosovës, është shumë e vështirë të besohet, pavarësisht se shqiptarët kanë dëshirë t’a besojnë këtë dhe për çdo natë ndoshta e shohin edhe në ëndërr! Por, nuk duhet harruar se çështja e parë e rëndësishme që vendosi apo këmbënguli për atë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në lidhje me taksën ndaj mallrave të Serbisë, zbuloi një realitet krejt tjetër që ishte shumë tronditës. Ambasada amerikane në reagim ndaj këmbënguljes së kryeministrit Haradinaj, deklaroi: “Taksa ndaj mallrave të Serbisë duhet të hiqet, sepse është në kundërshtim me interesat kombëtare të Amerikës”. (kështu citonte REL). Çfarë interesash kombëtare të Amerikës ndodheshin në taksën e qeverisë së Kosovës për mallrat e Serbisë?!

Autoritetet e Kosovës në përkufizimin terrorist të gjeneralit iranian Kasem Suleimani shkuan edhe më larg se sa vetë amerikanët! Amerika në trajtimin e terrorizmit, ka një përkufizim të çuditshëm i cili këtë fenomen e ndan në dy kategori: terrorizëm të keq dhe terrorizëm të mirë!!! Autoritetet dhe mediat shqiptare nuk e respektuan as këtë qëndrim të Amerikës ndaj terrorizmit. Për Amerikën terrorizmi i mirë përbëhet nga ato grupe terroriste të cilat veprojnë në interes të politikës amerikane siç janë grupet takfiriste Al Kaida, ISIS, Fronti Nusra e shumë të tjera anë e mbanë botës. Terrorizmi i keq sipas politikës amerikane janë grupet që luftojnë për çlirimin e vendeve të tyre dhe ato lëvizje të cilat luftojnë kundër Izraelit siç janë Hezbullahu i Libanit, Hamasi i Palestinës, Xhihadi Islamik i Palestinës, ushtria e Sirisë, forcat vullnetare popullore Hashd Sha’bi të Irakut dhe në krye të të gjitha këtyre Garda Revolucionare e Iranit dhe sidomos forca Kods e kësaj Garde e cila drejtohej nga gjeneral Kasem Solejmani dhe tani nga gjeneral Ismail Gha’ani. Amerika “terrorizëm të keq”  e quan çdo lëvizje që nuk ndjek interesat amerikane. Pra kjo është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar dhe se kjo qasje nuk bazohet në asnjë ligj apo normë ndërkombëtare, e nuk bëhet fjalë fare për demokraci.

Gjeneral Kasem Solejmani, si komandant i forcës Kods të Gardës Revolucionare të Republikës Islamike të Iranit, ka ndihmuar dhe mbështetur në të gjitha aspektet këto lëvizje që sipas politikës amerikano-sioniste quhen “terrorizëm i keq” që luftojnë për çlirimin e vendeve të tyre. Izraeli është pushtues i Palestinës dhe lëvizjet Hamas, Xhihadi Islamik dhe grupet e tjera palestineze luftojnë për çlirimin e atdheut të tyre. Izraeli ka pushtuar Libanin dhe deri në vitin 2000, mbante nën pushtim pjesën jugore të Libanit. Hezbullahu ka luftuar kundër pushtuesit izraelit dhe nuk ka luftuar kundër qeverisë libaneze asnjëherë dhe kurrë. Pra është një lëvizje ose një forcë çlirimtare ashtu siç ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, etj.. Këto lëvizje kurrë nuk kanë luftuar për t’a pushtuar Nju Jorkun apo Uashingtonin, apo Brukselin e Londrën që Amerika e Bashkimi Evropian i quan “terrorist”. Është mirë që të ekzistojë një lloj humanizmi të paktën, edhe pse mund të ekzistojnë prirje politike tërësisht të kundërta mes shqiptarëve dhe popujve të Lindjes së Mesme.

Gjeneral Kasem Solejmani ishte një funksionar i një strukture ushtarake zyrtare të një vendi të pavarur dhe nuk ishte kreu i ndonjë organizate terroriste si Al Kaida e ISIS që e ka krijuar Amerika. Ky fakt duhet të merret parasysh të paktën sa për t’i respektuar formalisht ligjet dhe normat ndërkombëtare dhe më e rëndësishmin humanizmin e solidaritetin njerëzor.

Mediat shqiptare, por më keq se kaq edhe autoritetet e larta të Shqipërisë viteve të fundit janë përqendruar në një grup që e quan veten “opozita iraniane”. Si pasojë e këtij ndikimi, mediat shqiptare në mënyrë sistematike publikojnë edhe lajme të rrejshme që burojnë nga ky grup i njohur me shkurtesën MEK. Një prej lajmeve më të fundit ishte një raport që përmbante një listë të quajtur “Krimet e gjeneral Kasem Solejmanit!”

Çudia më e madhe është kjo se edhe mediat e njiohura publikojnë të njëjtin lajm në kohën kur disa muaj më parë vet këto media publikuan intervista shumë interesante të realizuara me ish-anëtarë të këtij grupi të cilët janë ndarë nga ky grup dhe ata në mënyrë shumë të qartë treguan tmerret që kanë përjetuar brenda këtij grupi.

Në fund, me këtë ngjarje që ndodhi në Lindjen e Mesme dhe që ka tensionuar situatën në nivel shumë të gjerë, mediat shqiptare u bënë “zëri” i propagandës së Donald Trump e Mike Pompeo më shumë se sa vetë mediat amerikane. Në shumë media amerikane këtyre ditëve po publikohen shumë analiza të ndryshme që po vënë në pikëpyetje politikën e qeverisë së Trump në Lindjen e Mesme dhe po e quajnë shkelëse të ligjeve ndërkombëtare, ndërsa mediat dhe autoritetet shqiptare po e lartësojnë Trump në nivel të idhullit, vetëm pse ka kryer një akt terrorist dhe një krim kundër njerëzimit duke shkelur të gjitha ligjet dhe normat ndërkombëtare të cilat janë përcaktuar dhe vendosur nga vetë liberal-demokracia perëndimore. Veprimet arrogante të Trump nuk mund të numërohen, duke filluar nga dalja nga traktatet më të rëndësishme ndërkombëtare që garantojnë sigurinë globale e deri tek skandalet amorale e të korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit për të cilat po heton edhe Kongresi i Amerikës.

Gjeneral Kasem Solejmani ka qenë drejtues i luftës kundër terrorizmit në Lindjen e Mesme që u krijua nga vetë Amerika me aleatët e saj. Ka qenë hero i Frontit të Rezistencës, mjafton të shikohen pamjet që publikohen nga ceremonia e funeralit të këtyre martirëve në Irak, Iran dhe gjithashtu protestat e tjera në shumë vende të botës dhe të kuptohet se kush ishin me të vërtetë këta dy funksionarë ushtarakë shtetërorë të Irakut dhe Iranit.

Për mediat është normale të ndiqen qëndrime me prirje të ndryshme, por edhe të kundërta, por nuk është normale që të humbasë humanizmi. Mund të kuptohet devijimi i së vërtetës, por humbja e humanizmit është sikur zhurma e daulles nga dora e një amatori.