Breaking News

Procesi i shkarkimit të Trump

Republikanët dhe demokratët e kanë zhvendosur luftën politike në Senat, atje ku presidenti Donald Trump do të përballet me akuzat për abuzim me pushtetin dhe me shkarkim nga detyra. Shumica republikane nuk pranon disa nga parakushtet e demokratëve duke e cilësuar procesin të padrejtë.

Senati amerikan nuk po gjen mirëkuptim për procedurën e shkarkimit të presidentit Donald Trump dhe pritet ta shtyjë çështjen për vitin tjetër. Kryetari i mazhorancës republikane, Miç MekKonnëll, dhe ai i demokratëve, Çarls Shumër, konsultuan pikëpamjet, por pa dalë me zgjidhje. “Miku im nga Nju-Jorku këmbëngul që të devijojë nga precedenti dypartiak i vitit 1999, kur nisja e procesit kundër presidentit Bill Klinton u mbështet që në fillim nga 100 senatorë. Kolegu kërkon garanci paraprake për dëshmitarë të caktuar dhe që t’i vijojë procedurat pa një plan organizativ, ndaj edhe jemi në ngërç,” deklaroi shefi i senatorëve republikanëve. MekKonëll shtoi se votimi i dy akuzave ndaj presidentit Trump për abuzim me pushtetin dhe pengimin e procedurave të Kongresit ishte i rrëmbyer, i pathelluar dhe i njëanshëm. Me bindjen se procesi kundër tij do të pezullohet nga Senati, vetë kreu i zyrës ovale tha se kësaj i druhen edhe rivalët demokratë. “Pra, pasi demokratët nuk më siguruan një proces të drejtë, asnjë avokat, asnjë dëshmitar, asgjë, tani duan t’i tregojnë Senatit se si duhet zhvilluar procesi. Në fakt, ata kanë zero prova. Unë dua gjykim të menjëhershëm,” deklaroi Trump në Twitter.