Breaking News

Erdogan kërcënoi SHBA me mbylljen e bazës Incirlik

Presidenti turk kërcënoi se Turqia mund të vendosë të mbyllë bazën ushtarake Incirlik nëse SHBA marrin masa për të sanksionuar Ankaranë.

Rexhep Tajip Erdogan reagoi të dielën ndaj një rezolute të kongresit amerikan që njeh “genocidin armen” nga qeveria osmane dhe kërcënoi se Ankaraja mund të bllokojë bazat ajrore Incirlik dhe Kurebek në Turqi, sipas agjencisë Anatolia. Zyrtari i rangut të lartë turk përmendi rekordin e zi evropian dhe amerikan të masakrave dhe skllavërimin e indianëve dhe zezakëve, duke e quajtur rezolutën “të motivuar politikisht nga polarizimi i ashpër i hapësirës politike amerikane.”  Më parë, Ministri i Jashtëm turk Mevlud Çavushoglu kishte thënë se forcat amerikane mund të dëboheshin nga baza Incirlik nëse SHBA sanksionojnë Ankaranë për aktivizimin e sistemit rus S-400. “Unë i ftoj ata të veprojnë si një aleat,” tha Erdogan në një prononcim të tij ku shtoi: “Ne presim që qeveria amerikane të mos ndërmarrë asnjë hap për të dëmtuar marrëdhëniet tona.” Presidenti turk përmendi gjithashtu një rezolutë të Senatit të fundit të SHBA që njohu “genocidin armen” në epokën Osmane dhe akuzoi senatorët për injorancë ndaj ngjarjeve historike. Ai tha se Turqia është e gatshme të paraqesë arkivat e saj historikë para historianëve për të sqaruar faktet. Senati amerikan njohu genocidin armen të enjten ngjarje që ka ndodhur në vitin 1915 gjatë epokës otomane. Turqia mohon “genocidin” e armenëve në vitin 1915, i cili la 1.5 milion armenë të vdekur.