Breaking News

Haradinaj: Urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve po dëshmohet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se urrejtja patologjike e Aleksandër Vuçiqi ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit, “se masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999 është e fabrikuar”.

Haradinaj ka thënë se ky qëndrim i Vuçiqit dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit. “Është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja, duke kontaminuar kështu të ardhmen e tyre dhe duke zvogëluar shanset për paqe dhe pajtim në rajon”, ka shkruar ai. Ndryshe, presidenti serb Vuqiç ka thënë gjatë ditës sot se masakra e Reçakut  ishte një krim i fabrikuar. Këto komente i ka bërë  ai pas dënimit që iu është shqiptuar ish-ministrit,  Ivan Todosijeviq, i cili po ashtu kishte thënë se masakra në Reçak ishte e trilluar. Todosijeviq është dënuar me dy vjet burg, pasi është shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.