Breaking News

Shqipëria dërrmohet nga tërmetet, pasoja në njerëz dhe dëme materiale

Tërmeti me magnitudë 6.3 që goditi Shqipërinë pesë ditë më parë ku humbën jetën së paku 51 persona dhe mijëra u lënduan, la vendin të dërrmuar me pasoja të rënda. Shqipëria duket se nuk po gjen qetësi nga lëkundjet e njëpasnjëshme të tokës.

Natën e së shtunës, një tjetër tërmet me magnitudë 4.3 goditi vendin. Sipas bilancit zyrtar përfundimtar nga Ministria e Mbrojtjes, qyteza e Thumanës, ku u shembën dy pallate, është më e goditura me 26 të vdekur. Në Durrës, ku nga tërmeti u shembën dy hotele në zonën e Plazhit, një vilë tre katëshe në zonën e ish Kënetës, dhe dy pallate në qytet, janë 24 persona që humbën jetën. Në mesin e viktimave të tërmetit janë 6 fëmijë dhe 22 gra. Megjithatë, vende nga e gjithë bota i dolën në ndihmë familjeve të prekura, duke dërguar ndihma dhe duke mbledhur fonde për rindërtimin e shtëpive të atyre qe mbetën të pastrehë. Në ditën e diel, në qytetin e Durrësit, i cili është më i dëmtuari nga tërmetet, filluan shembjet e qëllimshme të godinave që konsiderohen të rrezikshme. Bëhet e ditur se 40 është numri total i atyre që përbëjnë rrezik dhe se duhet të shemben. Edhe presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian është përkrah Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. “Sapo fola me kryeministrin shqiptar Edi Rama i cili më tregoi për situatën e vështirë pas tërmetit. Kam shumë respekt për qytetarët shqiptarë që kanë qëndruar të qetë pavarësisht rrethanave. Dua që ata të dinë që BE është përkrah tyre me dhembshuri dhe me veprim”, shkruan ajo.