Breaking News

Amerika ul shpenzimet për NATO-n në prag të 70-vjetorit të Aleancës

Një javë para samitit të tyre të 70 vjetorit në Londër, 29 vendet anëtare të NATO-s ranë dakord për ndryshime në mënyrën se si të mbulohen shpenzimet e aleancës ushtarake.

Duke filluar nga viti 2021, pjesa e buxhetit të NATO-s të mbuluar nga Gjermania do të rritet nga 14.8% në 16.35%, ndërsa pjesa e mbuluar nga SHBA do të ulet nga 22.1% në 16.35%. Buxheti i aleancës do të përdoret për të investuar në infrastrukturë, si dhe për të financuar selinë e NATO-s në Bruksel, midis projekteve të tjera. Në vitin 2019, SHBA kontribuan gati 470 milionë € në buxhetin e NATO-s prej 2.12 miliardë eurosh. Nga viti 2021, Gjermania do të rrisë kontributin e saj në buxhetin e NATO-s për të qenë në përputhje me ato që paguan SHBA. Kontributi gjerman arriti në 313 milionë €. Marrëveshja e re nënkupton se kontributi vjetor i Gjermanisë në buxhetin e NATO-s do të rritet me rreth 33 milionë €, ndërsa SHBA do të kursejë rreth 120 milionë €. Zyrtarët e NATO-s shpresojnë se marrëveshja e re do të lehtësojë disa nga tensionet rreth temës së financimit të NATO-s. Presidenti amerikan Donald Trump është ankuar se SHBA mbulon më shumë sesa duhet për aleancën. Udhëheqësit e NATO-s po përgatiten që të mblidhen në Londër një takim dyditor të martën, për të shënuar 70 vjetorin e themelimit të aleancës. Lufta në Siri dhe rreziku i vazhdueshëm nga Rusia do të jenë tema qendrore. Dy anëtarë të NATO-s, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia ishin pranë konfrontimit në Sirinë veriore muajin e kaluar, duke e tronditur aleancën. Anëtarët e NATO-s thonë se është më mirë ta kemi Turqinë brenda sesa jashtë aleancës. Presidenti francez, Emmanuel Macron paralajmëroi se NATO po përjetonte “vdekje klinike” dhe i bëri thirrje Evropës të krijonte arkitekturën e vet të sigurisë. Komentet e tij u kritikuan nga Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ky i fundit paralajmëroi duke thënë: “Uniteti evropian nuk mund të zëvendësojë unitetin transatlantik. Ne kemi nevojë për të dyja. Dhe duhet të kuptojmë gjithashtu se veçanërisht pas Brexit-it, Bashkimi Evropian nuk mund ta mbrojë Evropën”. Ndërkohë, Evropa vazhdon ta konsiderojë Rusinë si rrezikun më të madh. Presidenti Donald Trump ka kërkuar vazhdimisht që anëtarët evropianë të NATO-s të kontribuojnë më shumë në buxhetin e NATO-s. Në takimin e Londrës priten diskutime të hapura e të ashpra, por tensionet nuk janë gjë e re për aleancën e NATO-s.