Breaking News

Merkel kërkon hapje sa më të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Kancelarja gjermane ka thënë në Zagreb se do të bisedojë me Francën për të krijuar kushtet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Angela Merkel dëshiron konsensus sa më të shpejtë me Francën për reformimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Këtë ajo e tha të mërkurën në Zagreb, pas një takimi me homologun e saj kroat, Andrej Plenkoviq.“I mbështesim planet e qeverisë kroate për të organizuar një konferencë të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor në formatin e plotë Bashkimit Evropian. Dhe do të jetë e rëndësishme që ne të krijojmë kushtet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Merkel.Duke pasur parasysh propozimin e ri të qeverisë franceze për reformimin e procesit të zgjerimit, kancelarja gjermane tha se, “ne tani duhet të bisedojmë me Francën dhe këtë duhet ta bëjmë shumë intensivisht, për të saktësuar elementet që duhen përmirësuar, që duhen ndryshuar, në procesin e zgjerimit. Jemi të gatshëm të bisedojmë, edhe pse qysh sot kemi një numër të madh mundësish për të qenë fleksibël”.Merkel tha më tej se reformimi i zgjerimit “duhet t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë reale anëtarësimi”.Ajo paralajmëroi se reformimi nuk duhet të ketë si pasojë BE-ja të tërhiqet nga premtimet e bëra.