Breaking News

Sanksionet amerikane, reagon ushtria iraniane

“Me një forcë më të fortë mbrojtëse dhe parandaluese, ne do të neutralizojmë çdo përpjekje aventureske të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në një deklaratë të lëshuar të martën, 5 nëntor, nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë iraniane.

Në një deklaratë, Shtabi i Forcave të Armatosura të Iranit dënoi veprimin e fundit të administratës amerikane për vendosjen e sanksioneve kundër Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, si dhe personave të tjerë fizikë dhe juridikë iranianë. “Bëhet fjalë për një fushatë pasive, të paefektshme dhe të pashpresë”, thuhet në deklaratë duke shtuar: “Në vazhdën e sanksioneve mizore kundër popullit iranian, Shtëpia e Bardhë ka vendosur sanksione të reja ndaj individëve dhe organeve shtetërore dhe veçanërisht ndaj forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit. Sanksionet amerikane kundër tërë forcave të armatosura iraniane nuk kanë pushuar së ekzistuari që prej ditës së parë pas Revolucionit Islamik. ” “Rezistenca e popullit iranian ndaj sanksioneve çnjerëzore të administratës Trump ka zemëruar zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë. Për të fshehur këto humbje të njëpasnjëshme qeveria amerikane ju drejtua sot këtyre fushatave sanksionuese që mund të përshkruhen si “spektakël i pastër”. Ashtu si në të kaluarën, këto presione janë të dënuara me dështim; populli iranian, qeveria dhe sistemi i Republikës Islamike padyshim që do të dalin më të bashkuar se kurrë “, shtoi deklarata e Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit.