Breaking News

Në dialog Kosovës asnjëherë nuk do t’i kërkohet të pranojë diçka që nuk është në interesa të saj

I ngarkuari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se nuk i takon SHBA-së të caktojë kornizën kohore për arritjen marrëveshjes Kosove-Serbi.

Palmer gjatë një takimi me studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile theksoi  se angazhimi i SHBA-së, dhe mbështetja nuk do të përfundojë vetëm ditën kur do të arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij do të vazhdojë tutje. “Nuk i takon SHBA-së të përcaktoj kornizën kohore për dialog, iu takon palëve. Kemi BE-në që ka lehtësuar dialogun, SHBA e ka mbështetur fuqimisht atë dialog. Sa i përket kornizës kush negocion, i takon vetë Kosovës ta përcaktoj. Ndërsa lidhur me afatin kohor, mendojmë që është ndjenjë e urgjencës. Angazhimi ynë dhe mbështetja nuk do të përfundojë vetëm ditën e marrëveshjes, duam që Prishtina dhe Beogradi të arrijnë marrëveshje që përbën normalizim të plotë të marrëdhënieve. Ditën tjetër prapë jemi këtu që të sigurohemi që ajo që arrihet të zbatohet. Do të kemi kornizë ndërkombëtare që ta mbështes këtë marrëveshje”, ka thënë ai duke shtuar që sa më herët që arrihet marrëveshja do të bëhet zhbllokimi i potencialit të dy vendeve. Ndër të tjera Palmer ka thënë se Kosovës asnjëherë nuk do t’i kërkohet që në dialog të pranojë diçka që nuk është në interes të saj.“Nuk i kërkohet Kosovës të pranojë diçka që nuk dëshiron apo që nuk është në interes të saj. Kosova e kontrollon vetë faktin e saj. Ajo vetë do të vendos se çka dëshiron të negociojë, dhe do t’i vendos parametrat e negocimit. Mënyra vetme për ta bërë këtë është përmes dialogut. Mendoj që ekipi që do ta përfaqësojë Kosovën mund të bisedoj për qëndrimin e tyre paraprak”, tha ai.