Breaking News

Evropa tregoi fytyrën, mban larg Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut

Shumica e vendeve anëtare të BE donin hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, por kjo nuk ndodhi. Këto ishin fjalët me të cilat presidenti i këshillit evropian Donald Tusk, hapi konferencën për shtyp në fund të samitit dy ditor të liderëve evropianë në Bruksel.

Sipas Tusk, faji për këtë nuk është as i Shqipërisë dhe as i Maqedonisë së veriut, por ai sqaroi se BE ka një strukturë komplekse dhe në raste si ky, kërkohen vendime unanime, çka rezultoi e pamundur të arrihej. “Maqedonia e veriut dhe Shqipëria nuk duhen fajësuar për këtë. Të dyja këto vende kanë bërë çfarë duhej të bënin. Të dyja e meritonin hapjen e negociatave, që sot. Ato janë gati. Por ne nuk mundëm të arrinim një vendim pozitiv”, shprehet Tusk. Tusk i ka dërguar një mesazh Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut. “Ju lutem mos u dorëzoni. Unë e kuptoj plotësisht frustrimin tuaj. Ndonjëherë, duhet shumë kohë për vendime të rëndësishme. Por nuk kam asnjë dyshim se një ditë ju do të jeni anëtarë me të drejta të plota të BE”. Presidenti i komisionit evropian, Jean Claude Juncker, nuk e fshehu zhgënjimin. “Jam shume i zhgënjyer për rezultatet e zgjerimit. Ky ishte një gabim i madh. Ne i kemi inkurajuar ato vende. I kemi bërë premtime publike. Nëse duhet të mbetemi të respektuar, duhet të mbajmë premtimet e dhëna”. Për Donald Tusk dhe Jean Claude Juncker, që e shfrytëzuan këtë konferencë shtypi edhe për të dhënë lamtumirën e tyre, më shumë se sa një dështim, mos hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, ishte një gabim. Pak para tyre, ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel, ajo që paralajmëroi zhgënjimin në Tiranë dhe Shkup. “Në fakt kur bëjmë premtime, patjetër që duhet t’i mbajmë dhe nuk duhet t’u kthejmë shpinën vendeve ndërkohë që bëjmë premtime. Në fakt janë disa faza sa i përket anëtarësimit në BE”, shprehet Merkel. Edhe vetë ai që sanksionoi këtë ‘jo’ të padëshiruar për Tiranën dhe Shkupin, presidenti Francez, Emmanuel Macron, pranoi se Shqipëria dhe Maqedonia e veriut kanë bërë reforma të guximshme por sipas tij, e gjithë kjo nuk mjafton.