Breaking News

Vetëvendosje: Vuçiç nuk është në pozitë që t’i komentojë simbolet

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një deklarate, e ka porositur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që duhet ta dijë se “Kosova është demokraci, në të cilën askush askujt nuk ia imponon identitetin ose simbolet, e aq më pak mund të censurohet vullneti politik i një subjekti”.

“Aleksandar Vuçiqi i cili para pak muajve në Mitrovicë mbajti fjalim lavdërues për (Sllobodan) Milosheviqin, nuk është as në pozitën morale e as politike të ankohet për simbolet tona kombëtare, me të cilat kurrë nuk kemi pushtuar e nuk kemi dëmtuar asnjë fqinj”, ka thënë Liburn Aliu, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë mënyrë, ky subjekt politik i është përgjigjur një shkrimi të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në rrjetin social Twitter pas një takimi që Kurti kishte zhvilluar në zyrat e Vetëvendosjes në Prishtinë me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.Aty, në fotografi nga takimi ndërmjet liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ambasadorit Nicholas Abbott shihej në prapaskenë flamuri kombëtar shqiptar. Kjo fotografi ishte bërë shkas për shkëmbimin e pyetjeve dhe përgjigjeve përmes rrjetit social Twitter, ndërmjet presidentit të Serbisë, Alekasandar Vuçiq dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë. Albin Kurti, si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, pas zgjedhjeve, ka thënë në një intervistë, që flamuri i Kosovës do të jetë i pranishëm në zyrën e tij.