Breaking News

Deklarata e Zaev në Bruksel

Kryeministri, Zoran Zaev, pas takimit në Bruksel me Komisionerin Johanes Han i ka bërë thirrje liderëve evropian që pa asnjë hezitim të miratojnë vendimin për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Zaev ka thënë se çdo shtyrje e vendimit do të kishte pasoja negativa në vend dhe rajon, pandaj edhe i është drejtuar krerëve evropian me fjalët “ Mos na i shuani shuani yjet ndriçuese, bëhuni heronjtë tanë”. Nga ana tjetër edhe komisioneri për zgjerim, Johanes Han i ka kërkuar liderëve evropian që të mbështesin propozimin e Komisionit dhe të vendosin pozitivisht për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Han ka thënë se vendimi eventual negativ do të kishte pasoja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas tij arsyeja e vetëm e tyre për normalizimin e raporteve është perspektiva evropiane. “Çdo shtyrje do lexohet si vendim negativ dhe do ketë shumë efekte negative. Do ketë zhgënjim të madh tek qytetarët, mes anëtarësisë dhe tek anëtarët e Kuvendit që e mbështetën zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Të mos harrojmë se zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është i lidhur me hapjen e kapitujve për BE-në. Me qëllim të mirë dua të paralajmëroj se nëse nuk jepet vendimi pozitiv i pritur dhe  i merituar, atëherë kredibiliteti i BE-së dhe besimi i qytetarëve tonë ndaj BE-së mund të vihen në pikëpyetje! Kjo me siguri do i nxitë forcat regresive në vend dhe do e përforcojë interesin e palëve të treta në rajon. Nëse BE tregon mungesë ose dobësi për Ballkanin Perëndimor, atëherë palët e treta do e plotësojnë mungesën. Prandaj, liderë të nderuar të BE-së, mos i shuani dritat e yjeve drejtë të cilëve synojmë. Mos u bëni pengesë e jona. Bëhuni heronjtë tonë”- deklaroi kryeministri Zoran Zaev. “Ne dhe shumica e madhe nuk kërkojmë asgjë më tepër sesa dritë të gjelbër për hapjen e bisedimeve aderuese. Nuk themi që menjëherë, apo që javën e ardhshme të fillojnë bisedimet. Bëhet fjalë për sinjal të qartë përkushtimi për perspektivë evropiane të një vendi si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Nëse edhe pas të gjitha detyrave dhe obligimeve që Maqedonia e Veriut i arriti, ajo tani nuk shpërblehet në mënyrë adekuate, atëherë nuk ka alternativë për Serbinë dhe Kosovën që të hyjnë në dialog substancial për bashkëjetesën e ardhshme për të dyja vendet për shkak se arsyeja e vetme për ta bërë këtë është perspektiva evropiane”- tha Johanes Han, Komisioner për zgjerim i BE-së.