Breaking News

Bota dënon agresionin turk në Siri

Operacioni ushtarak i Turqisë kundër militantëve kurdë në verilindje të Sirisë ka nxitur një valë dënimesh nga e gjithë bota, me Këshillin e Sigurimit të KB dhe Lidhjen Arabe të vendosur për të mbajtur takime emergjente.

Shumë vende ngritën shqetësime për fushatën e Turqisë në Siri, duke kërkuar ndaljen e ofensivës. Të mërkurën, Kryeministri Australian, Scott Morrison, shprehu shqetësime për një ringjallje të mundshme të grupit terrorist ISIS si pasojë e operacionit të Turqisë. Morrison tha se ai ishte “thellësisht i shqetësuar” për veprimet e Turqisë dhe ka shprehur shqetësimin e tij për sigurinë e civilëve dhe popullit kurd duke kritikuar si qeverinë turke, ashtu dhe atë amerikane. Për më tepër, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i kërkoi Turqisë të ndalë operacionin e saj ushtarak në Siri. “Unë i bëj thirrje Turqisë, si dhe aktorëve të tjerë të veprojnë me përmbajtje dhe të ndalojnë tashmë veprimet agresive”, tha ai ndërsa pranoi shqetësimet e sigurisë së Turqisë në kufirin e saj me Sirinë. “Nëse plani turk përfshin krijimin e një zone të ashtuquajtur të sigurt, mos prisni që Bashkimi Evropian të paguajë për të,” paralajmëroi ai. Për më tepër, Ministria e Jashtme egjiptiane “dënoi në termat më të fortë agresionin turk në territorin sirian”, duke thënë se ofensiva “përfaqëson një sulm të ashpër dhe të papranueshëm ndaj sovranitetit të një shteti vëlla arab “. Presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, diskutoi çështjen me homologun e tij irakian, Barham Salih, në një telefonatë të mërkurën. “Agresioni turk përfaqëson një zhvillim të rrezikshëm që kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe përkeqëson situatën e krizës në rajon,” deklaroi zëdhënësi i presidentit egjiptian Bassam Rady. Ndërkohë, i ashtuquajturi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se bombardimi turk në  Sirinë verilindore kishte vrarë të paktën 15 njerëz, tetë prej tyre civilë dhe kishte plagosur më shumë se 40 të tjerë. Sidoqoftë, të ashtuquajturat Forcat Demokratike Siriane, pjesë e një aleance anti-Damask e mbështetur nga SHBA-të, thanë se forcat turke nuk kishin përparuar dhe se sulmi i tyre tokësor është zmbrapsur në qytetin sirian të Tel Abiad. Zëdhënësi i SDF, Mustafa Bali raportoi gjithashtu një sulm të ushtrisë turke në afërsi të burgut al-Chirkin, ku mbahen të burgosurit e ISIS. Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB pritet të mblidhet të enjten për të diskutuar situatën në Siri me kërkesë të pesë anëtarëve evropianë, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Belgjikës dhe Polonisë. Liga Arabe gjithashtu ka vendosur të zhvillojë një takim urgjent të Shtunën pas një thirrje të bërë nga Egjipti.