Breaking News

Kritika ndaj princit të kurorës Saudite rritet pas sulmeve në Aramco

Një numër i anëtarëve të familjes mbretërore saudite kanë shprehur zhgënjimin për aftësinë e Princit të Kurorës Muhamed bin Salman për të udhëhequr mbretërinë pas një sulmi shkatërrues nga ushtria jemenase në objektet e naftës të kompanisë Aramco, raportoi të mërkurën Reuters.

Sipas një diplomati të lartë të huaj dhe pesë burimeve pranë familjes në pushtet, të cilët folën në kushte anonimiteti, sulmi me raketa dhe dronë nga Jemeni ka ngjallur zemërim midis disa anëtarëve të shquar të familjes Al Saud dhe gjithashtu disa në qarqet elitare e akuzojnë princin e ri të kurorës se ka adoptuar një politikë të jashtme jashtëzakonisht agresive ndaj Iranit. “Ka shumë pakënaqësi” për udhëheqjen e MbS, tha një nga burimet. “Si nuk ishin në gjendje të zbulonin sulmin?” Ky person shtoi gjithashtu se disa njerëz në qarqet elitare nuk kanë “besim” te princi i kurorës, një pohim që u përsërit nga burimet e tjera. Që prej ardhjes në pushtet, MbS ka bërë presion ndaj familjeve të pasura në Arabinë Saudite për të blerë aksione të Aramco në përpjekje për të siguruar paratë e nevojshme për planet e tij ambicioze ekonomike. Sidoqoftë, ato familje nuk kanë treguar asnjë interes real për aksionet e Aramco për shkak të pasigurive në rritje për të ardhmen e kompanisë. Analistët dhe bankierët kishin besuar përpara sulmeve jemenase se vlerësimi i Aramco me 2 trilion dollarë ishte jorealist, duke thënë se 1.5 trilion dollarë do të ishin më të arritshme.