Breaking News

Pas tensioneve me Iranin, SHBA zhvendos komandën e Lindjes së Mesme nga Katari, në Karolinën e Jugut

Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara përkohësisht zhvendosën qendrën e tyre të komandës nga Katari, në Karolinën e Jugut pas përshkallëzimit të tensioneve të Presidentit të SHBA Donald Trump me Iranin.

Operacioni i pa paralajmëruar shënoi herën e parë në 13 vjet që komanda dhe kontrolli amerikan u zhvendos jashtë rajonit, raportoi gazeta The Washington Post, e cila ishte ftuar të vëzhgonte këtë zhvendosje. Si rezultat, Qendra e Operacioneve të Kombinuara të Ajrit dhe Hapësirës në Bazën Ajrore al-Udeid në Katar u la bosh të shtunën dhe Baza e Forcave Ajrore Shaw në Karolinën e Jugut u vu në krye të kontrollit të operacioneve amerikane nga 7,000 milje larg. “Funksionet që CAOC siguron për forcat ajrore janë aq kritike dhe aq thelbësore sa nuk mund të lejojmë të kemi një pikë të vetme të dështimit,” tha gjeneral majori B. Chance Saltzman, duke përdorur një akronim për qendrën. Koloneli Frederick Coleman, komandanti i Qendrës 609 të Operacioneve Ajrore dhe Hapësinore, gjithashtu pohoi se, “Irani ka treguar shumë herë përmes burimeve të shumta qëllimin e tij për të sulmuar forcat amerikane.” “Sinqerisht, ndërsa lufta kundër ISIS po përfundon dhe ndërsa ne vazhdojmë të punojmë përmes një procesi të mundshëm paqeje në Afganistan, rajoni po qetësohet dhe potencialisht është më i qëndrueshëm sesa ka qenë në dekada, përveç Iranit,” pohoi ai. Kjo ndërsa administrata Trump ka luajtur rolin kryesor në sjelljen e paqëndrueshme në rajon duke e tërhequr Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore e Iranit e mbështetur ndërkombëtarisht si dhe me rivendosjen e sanksioneve të paligjshme ndaj Teheranit. Douglas Barrie, një studiues i vjetër i specializuar në hapësirën ajrore në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër, theksoi rëndësinë e qendrës së komandës, duke thënë se, “Nuk duhet një imagjinatë e fortë për ta parë atë dhe për të menduar, se nëse fillon një konflikt i plotë, kjo qendër do të ishte një nga objektivat prioritarë. “Irani ka pohuar herë pas here se nuk kërkon luftë, por është i gatshëm të mbrojë interesat e tij rajonale kundër agresionit amerikan.

Advertisements