Breaking News

Presidentët e Iranit dhe Francës diskutojnë në New York reduktimin e tensioneve në Lindjen e Mesme

Presidenti i Iranit Hasan Ruhani dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron kanë zhvilluar bisedime në New York mbi mënyrat për të lehtësuar tensionet rajonale dhe për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Gjatë takimit të zhvilluar të hënën në rezidencën e z. Ruhani, të dy presidentët u angazhuan për reduktimin e tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, sipas agjencisë së lajmeve IRNA. Macron dhe Ruhani diskutuan gjithashtu nismën e re të Presidentit iranian për paqen në rajon, të quajtur Plani i Paqes në Hormuz, që do të zbulohet të mërkurën në fjalimin e z. Ruhani në Asamblenë e Përgjithshme të KB. Takimi i së hënës mes Ruhani dhe Macron erdhi menjëherë pas takimit të shkurtër të presidentit francez me Presidentin amerikan Donald Trump. Macron është vendosur të takojë Trump edhe një herë pas takimit me Presidentin Ruhani, thuhet në raportet e mediave. Presidenti francez në fund të gushtit kishte shprehur shpresën se një takim i pritur prej kohësh midis presidentëve të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara do të zhvillohej “brenda javëve të ardhshme”. Pavarësisht spekulimeve të mediave në lidhje me takimin historik, Irani ka deklaruar me vendosmëri se nuk do të ulet në bisedime bilaterale me Trump, por është i hapur për një takim shumëpalësh me grupin 5 + 1 – përfshirë SHBA-në – vetëm nëse Uashingtoni përfundon luftën e tij ekonomike kundër popullit iranian.

Advertisements