Breaking News

Meta: Mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese cenon qytetarët, askush nuk mban përgjegjësi

Presidenti Ilir Meta shprehu shqetësimin se po cënohen haptazi të drejtat themelore të njeriut me mosfunksionimin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.

“Të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë për të patur një shqyrtim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm dhe nga një gjykatë e caktuar me ligj, po cenohen haptazi nga grumbullimi i çështjeve të mbartura në Gjykatën e Lartë, për të cilat askush sot nuk mban përgjegjësi publike dhe askush nuk mundet t’u thotë qytetarëve se kur do të përfundojë shqyrtimi i tyre. Sot askush nuk mban përgjegjësi publike edhe pse vendi nuk ka ende Gjykatë Kushtetuese, ku dosjet që presin radhën për shqyrtim janë bërë pirg!”

Duke marrë shkas nga raporti i Qendrës për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP, një organizatë që monitoron çështjet transparencës së institucioneve, mbi këto gjykata, Meta nënvizon marrjen e masave sa me pare.

“Reforma u bë për qytetarët dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë duhet t’i shërbejë vetëm qytetarëve. Duhen marrë të gjitha masat që të garantohet sa më shpejt për qytetarët akses i plotë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, dhe brenda një afati të arsyeshëm, si dhe të garantohen të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve që të mos cënohen nga mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë.”

Për shkak të bllokimit të punës dhe dosjeve të mbartura, në Gjykatën e Lartë presin gjykim rreth 30 mijë dosje.  INFOÇIP vlerëson se nëse Gjykata e Lartë do të plotësohej me trupë të re gjyqësore prej 19 anëtarësh dhe kolegjet të nisnin punën rregullisht,  për të marrë vendim për rekurset që presin, do të duheshin rreth 20 vjet, nëse e përllogarisim eficiencën me mesataren e vitit 2015 (më e mira e 5 viteve të fundit)”

Advertisements