Breaking News

Parlamenti britanik pengon planet e Boris Johnson

Gjatë një fjalimi të mbajtur në Londër, kryetari në ikje i Parlamentit britanik i zgjedhur në këtë post nga konservatorët në pushtet, paralajmëroi kyeministrin Boris Johnson, se parlamenti do jetë po aq kreativ në procedurat parlamentare, sa ai, nëse kryeministri do të pengojë shtyrjen e daljes së Britanisë nga BE-ja dhe nëse kryeministri do të injoronte ligjin e projektuar për të frenuar daljen e Britanisë pa marrëveshje.

John Bercow ka deklaruar se kryeministri Boris Johnson do të vepronte njësoj si “një hajdut banke, që e justifikon krimin duke ia dhënë paratë e vjedhura një shoqate bamirësie”, nëse ai do refuzonte të shtynte Brexit-in për të shmangur daljen e Britanisë pa marrëveshje me Bashkimin Evropian. Ai po ashtu paralajmëroi se Britania do të mund të dalë nga BE-ja muajin e ardhshëm, vetëm me pëlqimin e Parlamentit. Parlamenti, është i pezulluar me kërkesë të Shefit të Ekzekutivit britanik, një kërkesë e debatueshme, e cila do të shqyrtohet të martën e ardhshme. Ndërprerja prej pesë muajsh e punës së këtij institucioni u shpall e paligjshme nga një gjykatë skoceze, megjithatë fjalën e fundit tani do ta ketë Gjykata e Lartë. Këtu i ka varur shpresat dhe Johnson-i që vazhdon të këmbëngulë se e kërkoi pezullimin e parlamentit me qëllimin që të ketë kohë të prezantojë programin e tij të përmirësuar mbi shëndetësinë, politikëbërjen dhe prioritete të tjera të popullit. Por zëdhënësi i Partisë Laburiste në opozitë për Brexitin, Keir Starmer e fshikulloi ashpër duke thënë se “asnjë person me dy pare mend në kokë, nuk e beson që kjo është arsyeja e vërtetë e lëvizjes së Johnson-it”. Gjykata e Lartë Britanike ka miratuar një ligj, që e detyron Boris Johnson-in të kërkojë shtyrjen deri më 31 janar të vitit të ardhshëm të Brexit-it, në rast se nuk arrihet një marrëveshje që aprovohet nga parlamenti, deri më datën 19 tetor. Ndërkohë janë shtuar spekulimet për një ndryshim të qëndrimit të deputetëve nga Irlanda e Veriut, për çështjen e kontrollit doganor mes Irlandës, pjesë e BE-së dhe Irlandës së Veriut, pjesë e Britanisë. Kujtojmë se janë këta deputetë që kundërshtuan marrëveshjen e arritur mes Teresa May dhe BE-së, votat e të cilëve mbanin në këmbë qeverinë, e që çuan në dorëheqjen e saj nga posti. Mes shumë të panjohurave në procesin e gjatë dhe të lodhshëm të Brexit-it, dy syresh po kristalizohen; e para, se Brexit-i do të ndodhë, pavarësisht nga koha se kur, dhe se çdo dalje nga BE-ja do duhet të ketë vulën përfundimtare të parlamentit britanik. Kryeministri britanik po përballet me një presion të jashtëzakonshëm nga ligjvënësit dhe publiku për të lejuar punën e parlamentit. Pesë javët e kërkuara prej tij e bëjnë këtë shtyrjen më të gjatë të këtij lloji prej pothuajse një shekulli në Britaninë e Madhe. Bindja e përgjithshme është se me pezullimin e parlamentit, qeveria kërkoi t’i kufizonte ligjvënësve mundësinë të aprovonin ligje që do të pengonin një Brexit pa marrëveshje.