Breaking News

Vëllai i kryeministri britanik lë politikën pas diskutimeve për Brexit

Jo Johnson, vëllai i kryeministrit britanik, Boris Johnson ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit dhe ministrit, duke thënë se ka gjetur veten në mes të “besnikërisë familjare dhe interesit kombëtar”.

Ministri për Biznes dhe deputeti për pjesën juglindore të Londrës, ka cituar “tensionin e papërballueshëm” në rolin e tij.

Në referendumin e vitit 2016, ai ka votuar që Britania të qëndrojë në Bashkimin Evropian, derisa vëllai i tij, tash kryeministër britanik për t’u larguar.

Ai ka dhënë dorëheqje vitin e kaluar, në shenjë proteste ndaj marrëveshjes për Brexit të arritur mes ish-kryeministres britanike, Theresa May dhe BE-së.

Mirëpo ai i është kthyer qeverisë këtë verë, pasi Partia Konservatore ka emëruar vëllain e tij si lider.

Një zëdhënës i kryeministrisë ka thënë: Kryeministri dëshiron të falënderojë Jo Johnsonin për shërbimin e tij. Ai ka qenë i mrekullueshëm, ministër i talentuar dhe deputet fantastik.

“Kryeministri, si politikan ashtu edhe si vëlla, kupton se kjo nuk ka qenë punë e lehtë për Jo-n. Banorët e verilindjes së Londrës nuk do të mund të kërkonin përfaqësues më të mirë”, ka thënë ai.

Lajmin për largimin e tij vjen pasi ligjvënësit britanikë kanë miratuar një ditë më parë projektligjin që parandalon largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, çka mund të nxisë kryeministrin britanik, Boris Johnson që të thërrasë zgjedhje të përgjithshme.

Ky projektligj kërkon nga kryeministri që të kërkojë shtyrje të Brexitit përtej 31 tetorit, nëse nuk arrihet një marrëveshje me BE-në.

Kryeministri britanik synon të largojë Britaninë nga blloku evropian me 28 anëtarë, më 31 tetor të këtij viti, edhe nëse nuk ka marrëveshje për largim.

Kritikët kanë thënë se largimi i Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje mund të ketë pasoja të jashtëzakonshme për këtë shtet.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.