Breaking News

Takim mes Trump dhe Ruhani brenda pak javësh?

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se shpreson që një takim i pritur prej kohësh midis presidentëve të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara do të zhvillohej “brenda javëve të ardhshme”.

Macron e bëri këtë deklaratë të hënën në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij amerikan, Donald Trump, në përfundim të samitit të shtatë fuqive më të mëdha ekonomike në botë, të njohura si G7, në qytetin francez Biarritz. “Shpresoj se takimi midis presidentit iranian Hasan Ruhani dhe presidenti amerikan Trump të mund të ndodhë brenda disa javëve të ardhshme,” tha presidenti francez, duke shtuar: “Asgjë nuk është e sigurt, gjërat janë jashtëzakonisht të brishta.” Ai gjithashtu shtoi se gjatë një bisede telefonike me homologun e tij iranian, Ruhani i kishte thënë se është i hapur për bisedime me Trump. Macron tha se “nëse Ruhani pranon të takohet me presidentin Trump,” ai ishte “i bindur se mund të arrihet një marrëveshje”. Presidenti francez shtoi se ai do të telefononte edhe një herë zotin Ruhani në orët e ardhshme dhe do të diskutojë çështjen me të. Ndërkohë sot, gjatë një ceremonie në Teheran, Presidenti iranian Hasan Ruhani deklaroi: “Që prej një viti, sanksionet më të ashpra janë vendosur kundër popullit të Iranit. Ndërsa rezistojmë përballë këtyre sanksioneve, marrim masa hakmarrëse dhe reduktojmë angazhimet tona nën marrëveshjen bërthamore, ne gjithashtu e lëmë derën e hapur për negociata dhe diplomaci për të hapur rrugën për zgjidhjen e problemeve përmes diplomacisë. “

Advertisements