Breaking News

Varshava nuk pranon të bashkohet me koalicionin anti-iranian në Gjirin Persik

Kryeministri polak njoftoi se vendi i tij nuk do të bashkohet me koalicionin detar amerikan për shoqërimin e anijeve në Gjirin Persik.

Ai theksoi se qëndrimi i Polonisë në këtë drejtim ishte keqinterpretuar. Mateusz Morawiecki pranoi që Polonia ishte angazhuar në negociata mbi këtë temë, por kurrë nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me forcat amerikane për të kryer operacione detare në Gjirin Persik. Ministri i Jashtëm polak kishte thënë së fundmi se mbështetja polake për përpjekjet amerikane dhe britanike në rajon ishte e mundur, por pa dhënë detaje të tjera. Qeveria gjermane gjithashtu ka refuzuar kërkesën e SHBA për t’u bashkuar me koalicionin amerikan, duke thënë se nuk do të mbështesë fushatën e presionit maksimal të administratës Trump kundër Iranit. Deri më tani, midis shteteve anëtare të BE-së, vetëm Britania ka treguar gatishmërinë e saj për të mbështetur Shtetet e Bashkuara në operacionet e tyre detare në Gjirin Persik dhe ka dërguar dy anije luftarake në ngushticën e Hormuzit për të shoqëruar anijet tregtare britanike.