Breaking News

Bie qeveria, Italia drejt zgjedhjeve të parakohshme

Zëvendëskryeministri i Italisë nga partia 5 Yjet i është përgjigjur menjëherë thirrjes së Matteo Salvinit me të cilin ndan qeverinë për të hyrë në zgjedhje të parakohshme.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Di Maio ka deklaruar se është i gatshëm të hyjë në zgjedhje por ka vënë kushtin për votimin e një reforme e kërkuar nga 5 Yjet e cila synon zvogëlimin e numrit të deputetëve. “Dikush do që qeveria të bjerë sot më 8 gusht. Ne jemi gati, nuk na intereson kolltuku dhe nuk kemi interes për asgjë por vetëm një gjë është e sigurt: kur ju bëni qejf me vendin dhe qytetarët shpejt apo vonë do përballeni me pasojat. Por në shtator është një reformë thelbësore e cila ka të bëjë me shkurtimin e 345 deputetëve. Është një reformë e cila largon 345 kolltuqe dhe i kursen italianëve gjysmë miliardë euro në 5 vjet, para që mund të përdoren për shkolla, spitale dhe rrugë”-shkruan Di Maio.Ky zhvillim i papritur vjen pas disa muajsh krisje të koalicionit qeveritar dhe e çon vendin në një cikël të ri të pasigurisë politike. Parlamenti, aktualisht me pushime verore, do të mblidhet përsëri javën tjetër për hapat e nevojshëm të ardhshëm, tha Salvini, duke iu referuar një votëbesimi për qeverinë dhe dorëheqjes së kryeministrit Giuseppe Conte. Tensionet qeveritare arritën kulmin dje gjatë një debati në Senat mbi një propozim të paraqitur nga Lëvizja Pesë Yje për t’i dhënë fund ndërtimit të linjës hekurudhore Torino-Lyon, për të cilën ka thënë se do të votojë kundër. Lidhja ishte në favor të projektit. Pesë Yjet kanë më shumë vende në parlamentin e sotëm, por partia e ekstremit të djathtë të Salvinit fitoi dy herë më shumë mbështetje në sondazhe dhe ka kërcënuar vazhdimisht se do ta  kapitalizonte këtë popullaritet duke kërkuar vota.