Breaking News

Tomor Morina vazhdon të mbahet në paraburgim

Gjasat që Tomor Morina të lirohet nga paraburgimi sot, janë të vogla pavarësisht optimizimit të shprehur ditë më parë nga avokati Naser Raufi. Nga Gjykata kompetente nuk japin informata se kur do të sjellin vendim lidhur me kërkesën e avokatit që Morina të mbrohet në liri, deri në shqyrtimin e kërkesës së Serbisë për ekstradimin e tij. Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska, thotë se gjykatat janë ata që duhet të vendosin dhe se kërkesa nga shteti serb për ekstradimin e Morinës ende nuk ka arritur.

“Ne deri tani si Ministri kemi kompetencë të vetme që përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme t’i njoftojmë ambasadat, shtetas i të cilave është personi në fjalë, i cili ka shtetësi të Britanisë dhe të Kosovës, dhe ne në pajtim me ata procedura veç-më kemi njoftuar ambasadat. Deri mbrëmë, po as sot nuk e kemi marrë kërkesën për ekstradim. Sapo ta marrim do e dërgojmë tek gjykatat të cilët do të duhet të vendosin ndaj asaj kërkese” – deklaroi Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë në Kosovë Abelard Tahiri, përmes një kumtese për mediat arrestimin e Morinës me kërkesë të Serbisë e quajti shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe mospërfillje të Konventave ndërkombëtare.

“Pa kaluar as një javë e plotë nga përpjekja për ta marrë në mënyrë arbitrare shtetasin tonë Tomor Morina, përmes fletarrestimeve ndërkombëtare irracionale që e kanë origjinën nga regjimi shtypës i Millosheviqit, Serbia vazhdon të impresionojë me shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, duke nxjerrë aktgjykime për qytetarët tanë, pa përfillur asnjë normë dhe asnjë parim nga Konventat ndërkombëtare, pjesë e së cilave është” – tha Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Morina për më shumë se një javë po qëndron në paraburgim, ndërsa ishte arrestuar të mërkurën e kaluar nga policia maqedonase, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë. Morina ka shtetësi të dyfishtë, atë të Britanisë së Madhe dhe shtetësi të Kosovës. Ai deri tani kishte lëvizur pa asnjë problem në të gjitha shtetet evropiane.

Advertisements