Breaking News

Ruhani: Forcat e huaja nuk mund të sjellin siguri, shkaktojnë më shumë tension në rajon

Presidenti iranian z. Hasan Ruhani deklaroi se çdo prani e forcave të huaja në Gjirin Persik do të shkaktojë edhe më shumë tensione në rajon, pas raportimeve se Britania e Madhe dhe SHBA po kërkojnë të krijojnë një forcë të përbashkët për të shoqëruar cisternat e naftës që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

“Irani bën përpjekje të vazhdueshme për të siguruar Detin e Omanit, Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit që ato të mbeten rrugë të sigurta për transportin ndërkombëtar”, tha ai të dielën gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm të Omanit, Jusuf bin Alavi, i cili ndodhet në Teheran. “Prania e forcave të huaja nuk do të ndihmonte sigurinë rajonale, dhe në të vërtetë do të ishte burimi kryesor i tensionit”, shtoi Presidenti iranian. Presidenti iranian tha se Teherani kurrë nuk ka filluar tensionet në rajon, ndryshe nga zyrtarët amerikanë, të cilët ai i akuzoi për shkaktimin e tensioneve me “mashtrimet” dhe me vendimin e tyre për të braktisur marrëveshjen bërthamore të Iranit. Bin Alavi, nga ana e tij, tha se Omani dhe Irani kishin nevojë për të kapërcyer të gjitha sfidat dhe për të ndihmuar në ruajtjen e sigurisë së rajonit. Ai theksoi se pa Iranin nuk ishte e mundur të garantohej siguria dhe stabiliteti i rajonit. Ndërkohë, ministri i jashtëm i Omanit të dielën hodhi poshtë spekulimet se ai kishte përcjellë një mesazh nga SHBA dhe Britania për zyrtarët iranianë gjatë udhëtimit të tij në Teheran. Diplomati më i lartë i Omanit shtoi se të gjitha palët duhet të jenë në kontakt me qëllim që të parandalojnë incidentet e mëtejshme në Ngushticën e Hormuzit dhe të mbrojnë linjat ndërkombëtare të transportit detar.

Advertisements