Breaking News

Suedia ndërmjetëson mes Iranit dhe Anglisë për çështjen e anijeve të bllokuara

Ministria e jashtme e Suedisë ka nisur kontaktet me autoritetet e Iranit dhe të Britanisë së Madhe lidhur me anijet e bllokuara në Gjirin Persik dhe në ngushticën e Gjibraltarit.

Sipas një njoftimi të agjencisë Infosurhoy, ministria e jashtme e Suedisë ditën e premte ka nxjerrë një deklaratë ku thuhet se Stokholmi është duke punuar për përparimin e bisedimeve në nivele të ndryshme mes autoriteteve të Teheranit dhe Londrës dhe shpreson për gjetjen e një rruge për eliminimin e tensioneve. Në këtë deklaratë shprehet shqetësimi mbi situatën në ngushticën e Hormuzit dhe theksohet se për Suedinë dhe BE lëvizja e lirë e anijeve të mbrojtura është shumë e rëndësishme. Pronari i anijes Stena Impero që lëvizte me flamurin e Britanisë së Madhe është një kompani suedeze. Më herët është dhënë lajmi për dërgimin e një ndërmjetësuesi nga Britania e Madhe për lirimin e anijes së bllokuar në Gjirin Persik. Forcat detare të Britanisë së Madhe më 4 korrik me kërkesë të Amerikës kanë bllokuar një anije iraniane me naftë në brigjet e Gjibraltarit me pretekstin e shkeljes së sanksioneve të Evropës kundër Sirisë. Irani ka hedhur poshtë pretendimet për dërgimin e naftës në Siri dhe vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve që nuk janë anëtare të BE e ka quajtur veprim të jashtëligjshëm dhe që bie ndesh me dispozitat dhe normat ndërkombëtare. Forcat detare të Gardës Revolucionare më 19 korrik me kërkesë të organizatës së porteve dhe lundrimit të provincës Hormuzgan, kanë bllokuar dhe konfiskuar një anije angleze në brigjet e ngushticës së Hormuzit për shkak të shkeljeve të normave ndërkombëtare të lundrimit.

Advertisements