Breaking News

Ende asnjë aktakuzë ndaj grave kosovare të kthyera nga Siria

Prokuroria Speciale e Kosovës po i vazhdon ende hetimet në lidhje me 32 gratë e kthyera nga Siria në Kosovë në muajin prill të këtij viti.

Që të 32 gratë e riatdhesuara po hetohen nën dyshimet për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist. Prokuroria Speciale ka konfirmuar faktin se ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë për gratë e riatdhesuara. “Rasti i grave të riatdhesuara nga Siria, është ende në fazën e hetimeve nga ana e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ato po hetohen për veprat penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përkatësisht nga neni 3 paragrafi 3, “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht”, jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Tani, janë bërë tre muaj prej se 32 gratë e kthyera nga Siria po qëndrojnë në arrest shtëpiak. Pas kthimit në Kosovë të katër luftëtareve, 32 grave dhe 74 fëmijë, në muajin prill, institucionet e Kosovës nuk bënë të ditur nëse do të kthejnë kosovarët e tjerë të mbetur në Siri.

Advertisements