Breaking News

Vetting në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut

Njohësit e çështjeve juridike theksojnë se Maqedonia e Veriut duhet të zbatojë procesin e vlerësimit të njohur si “vetting” për punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim që gjykatat në vend të arrijnë të pastrohen nga personat që punojnë në bazë të direktivave të strukturave të caktuara politike.

Përderisa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, edhe pse premtoi se do të instalojë sistemin për rizgjedhjen e të gjithë gjykatësve në vend, u tërhoq nga kjo ide pasi siç ka theksuar se “nuk dëshiron që vendi të mbetet pa gjykatës”.

Por, ekspertët juridikë thonë se kjo tezë e kryeministrit Zaev nuk mban sepse siç kanë nënvizuar në Maqedoninë e Veriut pothuajse ka dyfish më shumë gjykatës për kokë banori krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.

Dane Iliev, ish kryetar i Gjykatës Supreme në Maqedoninë e Veriut, thotë se Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve si pjesë e reformave në sistemin gjyqësor nuk arriti të prodhojë gjykatës profesional.

Iliev, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Maqedoninë e Veriut ka mjaft gjykatës profesional që do të mund të dëshmojnë se sistemi i drejtësisë ka kapacitet të funksionojë, por ata qëllimisht lihen anash nga politika sepse nuk pranojnë urdhëra nga politikbërësit.

“Numri i gjykatësve në Maqedoninë e Veriut është tej mase i lartë, madje në disa gjykata kemi gjykatës që nuk kanë fare punë, duke mos pasur pothuajse asnjë lëndë, dhe nga ana tjetër kemi gjykata ku gjykatësit janë të mbingarkuar me lëndë”.

“Problemi qëndron në mos shpërndarjen e barabartë të punës dhe kjo besoj se bëhet me qëllim që sistemi i drejtësisë të paralizohet, gjegjësisht të jetë jofunksional sistemi gjyqësor që pastaj ai lehtësisht të manipulohet ose do të thosha më lehtë të mund të dirigjohet nga politika”, thotë Dane Iliev, ish kryetar i Gjykatës Supreme në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, Xhelal Neziri njohës i çështjeve politike, thotë se vettingu si proces për Maqedoninë e Veriut është mëse i nevojshëm sepse vendi përballet me trysninë e BE-së, përkatësisht se reformat në sistemin e drejtësisë do të jenë ato që do të ndezin dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut që t’i caktohet data për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane