Breaking News

Miratohet plani për ndalimin e shitjes së armëve për Arabinë saudite dhe EBA në Kongresin amerikan

Qeveria amerikane në kuadër të mbështetjes së partnerëve të saj rajonalë dhe për të ngritur nivelin e ekonomisë nëpërmjet shitjes së armatimeve, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme ndërkombëtare për të anashkaluar Kongresin dhe u ka shitur armatime  Arabisë Saudite dhe EBA në vlerën 8 miliard dollarë.

Ky veprim i qeverisë amerikane ngjalli reagimin dhe kundërshtimin e fortë të anëtarëve të Kongresit të cilët u munduan të bllokojnë dhe anulojnë shitjen e armatimeve. Më herët Senati amerikan ka kundërshtuar shitjen e kësaj sasie të madhe armatimesh dhe pas tij Kongresi më 16 korrik votoi pro ndalimit të shitjes së armëve me vlerë miliarda dollarë për Arabinë Saudite dhe EBA. 4 prej përfaqësuesve republikanë në Kongres, për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Donald Trump për shitjen e armëve Arabisë Saudite dhe EBA kanë votuar pro rezolutës së propozuar për ndalimin e kësaj tregtie. Kongresi amerikan ka votuar tre pjesë të kontratës për shitjen e armatimeve, pjesë të cilat lidheshin me luftën në Jemen. Këto tre pjesë të kontratës, lidheshin me shitjen e bombave lazer dhe pajisjeve të tyre për Arabinë Saudite dhe EBA. Senati gjithashtu në qershor të vitit 2019 ka votuar pro ndalimit të shitjes së armëve Arabisë Saudite dhe EBA. Mike Pompeo, sekretari amerikan i shtetit në maj të vitit 2019 deklaroi se duke pasur parasysh gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare, janë nënshkruar 22 kontrata për shitjen e armëve Arabisë Saudite, EBA dhe Jordanisë. Qeveria amerikane me shpalljen e kësaj gjendjeje, mundohet të anashkalojë dhe evitojë kongresin. Në kushte normale, Kongresi ka 30 ditë afat që të shpallë mendimin e tij për këto kontrata. Kjo është hera e dytë brenda disa muajve që Kongresi nxjerr rezolutë kundër qeverisë Trump rreth Arabisë Saudite. Në prill të këtij viti, Kongresi ka votuar pro ndalimit të pjesëmarrjes së Amerikës në luftën e Arabisë Saudite kundër Jemenit. Përfaqësuesit republikanë dhe demokratë me votat e tyre edhe një herë janë shprehur të pakënaqur nga veprimtaria e qeverisë Trump, e cila me gjithë rolin e autoriteteve të larta të Riadit në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, vazhdon të insistojë në shitjen e armëve për këtë  vend. Më 15 korrik kongresi amerikan ka miratuar një tjetër ligj që ndëshkon autorët përgjegjës për vrasjen e gazetarit Khashoggi. Mirëpo sipas gazetës Nju Jork Times, asnjë çështje tjetër si çështja e Arabisë Saudite nuk është bërë objekt kundërshtimi mes Kongresit dhe qeverisë Trump. Ka shumë mundësi që presidenti Trump të vendosë veton kundër vendimit të Kongresit, pasi politika e qeverisë së tij konsiston në mbështetjen e gjithanshme për Arabinë Saudite. Ky vend është partner strategjik dhe i rëndësishëm rajonal për Uashingtonin dhe çdo vit sasi të mëdha armatimesh amerikane i shiten Riadit. EBA gjithashtu është partner i rëndësishëm i Uashingtonit dhe çdo vit Amerika i shet këtij vendi sasi të mëdha armësh. Për këtë arsye qeveria Trump nuk preferon të ulë nivelin e marrëdhënieve të saj me Arabinë Saudite dhe EBA, pasi ai siç ka deklaruar me herët këto vende i shikon si lopë qumështore që duhen mjelë deri në fund. Për të kuptuar më mirë rëndësinë që Arabia Saudite ka për Donald Trump, duhet thënë se vendi i parë i zgjedhur nga Trump për të vizituar në vizitën e parë jashtë shtetit si president, ishte pikërisht Riadi, me të cilin nënshkroi një kontratë me vlerë 110 miliard dollarë.

Advertisements