Breaking News

Vanhoutte shkruan për situatën e fundit në Maqedoni, thotë se sundimi i ligjit sërish është larg

Ish-ndërmjetësuesi për nënshkrimin e Marrëveshjes së Përzhinës mes partive politike në Maqedoni, Peter Vanhoutte, ka reaguar për ngjarjet e fundit në vend, në të cilat është përfshirë edhe Prokuroria Speciale.

Vanhoutte thotë se i lexon ngjarjet që ndodhin në Maqedoninë e Veriut dhe në zyrën e Prokurorisë Speciale. Ai shton se vetëm mund të konstatojë se sundimi i ligjit me shpejtësi të madhe po shkon sërish poshtë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Çfardo që mund të ketë ndodhur në Zyrën e Prokurorisë Speciale, është e rëndësishme të ndalohen të gjitha spekulimet dhe të lejohet Prokuroria e rregullt ta bëjë punën e saj. Në rast se ka keqpërdorim të pozitës, personat e përfshirë duhet të ndëshkohen. Por ndaloni thashethemet!”.

“Duke analizuar se çfarë ndodh, pyetja ime e parë është: Pse del kjo papritmas në sipërfaqe? Kush është prapa kësaj? Ndoshta Katica Janeva ka prekur disa persona, të cilët kanë besuar se janë të paprekshëm dhe mbi ligjin? Në përgjigjen e pyetjes “kush ka interes që kjo të ndodh”, unë mund të jap një listë të gjatë me emra, por kjo nuk do ta ndihmojë vendin të ecë përpara”, shkruan Vanhoutte.

Ai më tej thotë se një gjë është e qartë, që politikanët e vendit të të gjitha partive kanë vazhduar me zënkat personale dhe kanë harruar rëndësinë e zbatimit korrekt të parimeve të demokracisë.

“Kjo vetëm tregon se ka rrugë të gjatë për të ecur. Vetëm shpresoj që sot dhe nesër, shoqëria civile edhe një herë do të zgjohet dhe do të kërkojë që vlerat bazike të demokracisë të respektohen. Dhe në fund, çfarë do që të ndodhë, hetimet për përgjimet duhet të vazhdojnë”, shkruan më tej Vanhoutte.

Ndryshe, në rastin e fundit që e hapi Prokuroria Themelore, i cili ka të bëjë me marrje të haraçit nga biznesmenët për ndikim të kundërligjshëm tek disa prokurorë të vendit, raportohet se e përfshirë është edhe shefja e Prokurorisë Speciale Katica Janeva.

Pak para se Prokuroria Themelore të njoftojë për këtë lëndë, Janeva përmes një kumtese për media njoftoi se ka dhënë dorëheqje me arsyetimin se nuk dëshiron të jetë arsye që të bllokohet zgjidhja për çështjen e PSP-së dhe eurointegrimet e vendit.

Advertisements