Breaking News

Taksa, ‘karta’ e Haradinajt për dialogun

Pezullimi i taksës prej 100 për qind ndaj prodhimeve të importuar nga Serbia, të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës, “është kërkesë që ekziston” dhe ajo është për ta “disiplinuar” Kosovën, ka thënë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që i ka bërë Komunës së Vushtrrisë.

“Unë mendoj që është një kërkesë që të na disiplinojnë, që ne të pranojmë ndonjë zgjidhje me më shumë kompromise në marrëveshjen finale me Serbinë. Prej nesh nuk ka mbetur shumë se çka të japim. Ne jemi pajtuar me Ahtisaarin, i kemi kryer ato obligime që i kemi pasur. Tani nuk kemi se çka të japim për njohjen, por mund ta japim një partner ekonomik për Serbinë, sepse kur të na njeh Serbia, hiqet edhe taksa”, ka theksuar Haradinaj. Ai ka shtuar se taksa ndaj prodhimeve të Serbisë nuk është thjeshtë vetëm taksë dhe vetëm tregti, por është edhe kriter që tregon se a është Kosova shtet ose jo. Sipas tij, nëse Kosova lëshon pe lidhur me taksën, do ta ketë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje, në pozicione të barabarta. Vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës pezullimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë, në mënyrë që të rifillojë dialogu, por kryeministri Haradinaj, në vazhdimësi ka ripërsëritur që taksa nuk do të hiqet pa njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Advertisements