Breaking News

Trojka e BE e shqetësuar nga tensionet SHBA-Iran

Franca, Britania dhe Gjermania kanë bërë thirrje për rifillimin e dialogut dhe fundin e përshkallëzimit mbi marrëveshjen bërthamore të Iranit, pas tensioneve të rritura midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Të tre vendet evropiane e bënë këtë deklaratë në një prononcim të përbashkët të publikuar të dielën, në përvjetorin e katërt të nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore të Iranit. Të tre palët nënshkruese të marrëveshjes historike shprehën shqetësimin se marrëveshja e vitit 2015 mund të shkatërrohet pas sanksioneve të ashpra të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vendimi i Iranit për të zvogëluar disa nga angazhimet e veta në hakmarrje për tërheqjen e njëanshme të SHBA nga marrëveshja bërthamore. “Ne besojmë se ka ardhur koha për të vepruar me përgjegjësi dhe të kërkojmë një rrugë për të ndaluar përshkallëzimin e tensioneve dhe për të rifilluar dialogun”, tha versioni në gjuhën angleze i deklaratës së publikuar nga Élysée. “Rreziqet janë të tilla që është e nevojshme që të gjitha palët të marrin një pauzë dhe të mendojnë për pasojat e mundshme të veprimeve të tyre”, shtoi deklarata e trojkës europiane. Të tre vendet evropiane gjithashtu theksuan se ata do të vazhdojnë të mbështesin marrëveshjen bërthamore, por thanë se zbatimi i saj “varet nga pajtimi i plotë i Iranit”. Irani kërkon që palët europiane të bëjnë përpjekje të mjaftueshme që Irani të arrijë përfitimet ekonomike që premtohen nga marrëveshja duke punuar për të kompensuar ndikimet negative të sanksioneve amerikane.

Advertisements