Breaking News

Kryeministri i ri grek: Kushte për hapjen e negociatave me Shqipërinë

Kryeministri i ri i Greqisë,  Kyriakos Mitsotakis ka dalë përpara popullit për ti falenderuar për besimin që i dhanë në zgjedhjet e së dielës.

Në fjalimin e fitores, ai tha se do të jetë kryeministri i të gjithë grekëve. “Ne jemi shumë pak për të qëndruar të ndarë,” tha ai. Më tej shtoi se “shoqëria dha një mesazh të qartë në favor të rritjes, krijimit të vendeve të punës dhe sigurisë” dhe se “transparenca dhe meritokracia do të kthehen në Greqi dhe zëri i vendit tonë në Evropë do të forcohet”. Përsa i takon Shqipërisë, kryeministri i ri grek Micotakis ka përdorur tone të ashpra, duke paralajmëruar pengesa nga ana e Greqisë, për çeljen e negociatave. Ai është treguar i ashpër edhe me emigrantët, duke shprehur rezerva për qëndrimin e tyre në Greqi, ndryshe nga Tsipras, që legalizoi shumë emigrantë, veçanërisht nga Shqipëria, dhe ofroi ndihma financiare e lehtësi fiskale për ta. Babai i tij, Konstandin Micotakis, kur ishte në pushtet, urdhëroi operacionin që mbahet mend me emrin “fshesa”, kundër shqiptarëve, që i në ato vite i drejtoheshin në masë vendit fqinj. Tani, ai që nga rivalët quhet ‘princi i kurorës’ i politikës greke, po nxiton t’ia kthejë Greqinë qendrës së djathtë.