Breaking News

Shqipëria solidarizohet me Kosovën, anulon pjesëmarrjen në samitin e SEECP

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka njoftuar se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnja e Hercegovina.

Në një postim në rrjetin social Twitter, ministri në detyrë shkruan se trajtimi nga organizatorët në drejtim të Kosovës është i papranueshëm. Cakaj thotë se trajtimi ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet. Ministri në Detyrë Cakaj shkruan se nuk mund të ketë bashkëpunim pa trajtim të barabartë. “Shqipëria e anulon paraqitjen në Samitin e SEECP në shenjë solidariteti me Kosvën. Tretmani nga organizatorët është i papranueshëm dhe është në kundërshtim të krijimit të një atmosfere besimi, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit. Nuk ka bashkëpunim pa tretman të barabartë. #TëBashkuarQëndrojmë.”, ka thënë Cakaj në postimin e tij. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të shtunën ka njoftuar se ka refuzuar pjesëmarrjen në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), në Bosnje e Hercegovinë. Thaçi ka thënë se ftesa denigruese e anëtarit të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim. Ndaj deklaratës së Thaçit ka reaguar, Dodik. Ai ka thënë se Kosova është ftuar në formatin siç është paraparë për këto takime dhe se nuk i interesojnë fare “ndjenjat” e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. “Pakënaqësia e tij dhe ndjenja e tij për këtë çështje mua aspak nuk më intereson. Në formatin e paraparë për takimet e mëparshme të këtij lloji, Kosova ishte parashikuar me një lloj fusnotë. Pse atij s’i pëlqen, askush s’do të qajë, dhe s’do të ndiejmë ndonjë humbje pse ai nuk vjen”, tha Dodik.