Breaking News

Ruhani paralajmëron për përgjigje “vendimtare” nëse shkelet përsëri hapësira ajrore e Iranit

Presidenti iranian Hasan Ruhani deklaroi se Teherani nuk synon luftë me Uashingtonin, por do t’i japë Shteteve të Bashkuara një përgjigje “vendimtare” nëse përsëri shkelin kufijtë territorialë të Iranit.

Ruhani i bëri deklaratat të martën, në një bisedë telefonike me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, duke theksuar se Irani nuk donte luftë me Shtetet e Bashkuara, por do të përballej me çdo agresion. “Nëse amerikanët duan përsëri të shkelin ujërat territoriale ose hapësirën ajrore të Iranit përsëri, forcat e armatosura të Iranit kanë për detyrë t’i konfrontojnë ata dhe do të japin një përgjigje vendimtare”, tha Ruhani. Presidenti iranian gjithashtu theksoi se Teherani ka qenë gjithmonë i angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Macron, nga ana e tij, tha se tensionet në rajon nuk do të jenë të dobishme për asnjë vend dhe bëri thirrje për të shmangur një “përshkallëzim të rrezikshëm” në rajon. Më tej në fjalën e tij, presidenti Ruhani vuri në dukje vendimin e pamenduar të Trump vitin e kaluar për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje bërthamore e vitit 2015 me Iranin dhe tha se Teherani nuk do të “rinegociojë” marrëveshjen historike. “Në asnjë rrethanë nuk do të negociojmë një marrëveshje që u arrit pas dy vjetësh negociata maratone,” tha presidenti i Iranit. “Në kundërshtim me parimet ndërkombëtare, amerikanët provuan përmes imponimit dhe intensifikimit të sanksioneve kundër kombit iranian se ata nuk janë aspak pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve”. Gjatë telefonatës, Macron denoncoi si “penduese” tërheqjen e SHBA nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe vendosjen e sanksioneve kundër Teheranit, duke thënë se Franca ka bërë çdo përpjekje për të ruajtur marrëveshjen historike dhe për të bindur palët e përfshira në bisedimet bërthamore, veçanërisht SHBA-të.

Advertisements