Breaking News

Sekondat e fundit për zbatimin e INSTEX

Afati që Irani i ka dhënë Evropës për vënien në funksion të sistemit INSTEX po përfundon dhe në rast se pala tjetër nuk zbaton angazhimet e saj në kuadër të marrëveshjes bërthamore, Teherani deri në fazën përfundimtare atë të tërheqjes nga marrëveshja ndërkombëtare do të ndjekë hap pas hapi procesin e uljes së zotimeve të tij.

Megjithëse kanë kaluar disa  vite nga nënshkrimi dhe vënia në zbatim të marrëveshjes bërthamore, palët e tjera nënshkruese deri tani nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë në zbatimin e kësaj marrëveshje. Kryetari i parlamentit iranian Ali Larixhani ka kritikuar Evropën për mosveprimin e saj në ruajtjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke thënë se mekanizmi financiar i propozuar nga Evropa për të mbrojtur lidhjet tregtare me Iranin kundër sanksioneve amerikane është ende “në letër”. “Pavarësisht negociatave të shumëfishta që u mbajtën, premtimi i presidentit francez për presidentin e Iranit për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore nuk u përmbush,” tha Larixhani në një takim me Kryetaren e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Kombëtar Francez Marielle de Sarnez në Teheran. “Në fakt, duhet të thuhet se mekanizmi INSTEX ka mbetur në letër,” tha ai, duke iu referuar Instrumentit në Mbështetje të Shkëmbimeve Tregtare, të cilat Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, të tre nënshkruesit evropianë të JCPOA, e zbuluan në janar për të mbrojtur tregtinë me Iranin nga sanksionet e ashpra ekonomike amerikane. Larixhani më tej nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike me Francën, duke thënë se Parisi mund të luajë një rol konstruktiv në rajon.  Ligjvënësja franceze, nga ana e saj, theksoi rëndësinë e lidhjeve parlamentare midis Iranit dhe Francës, duke thënë se ligjvënësit e të dy vendeve mund të luajnë një rol të rëndësishëm në kohë të vështira. Duke shprehur mbështetjen e Evropës për marrëveshjen bërthamore, de Sarnez tha se vendi i saj është i vendosur për të arritur objektivin e shpëtimit të JCPOA. De Sarnez zhvilloi gjithashtu bisedime me zëvendësministrin e jashtëm të Iranit për çështjet politike Abas Eragçi. Eragçi tha se “lufta ekonomike që Amerika ka nisur kundër popullit iranian ka shënjestruar sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe ka shkaktuar tension në rajon”. Zyrtari iranian e përshkroi JCPOA si “diplomacinë e vetme të suksesshme për zgjidhjen e problemeve përmes negociatave në rajonin kaotik të Azisë Perëndimore”. “Shtetet e Bashkuara kanë rrezikuar diplomacinë dhe multilateralizmin duke u larguar nga marrëveshja bërthamore ” tha ai. Pas largimit nga JCPOA majin e kaluar, Presidenti i SHBA Donald Trump rivendosi atë që ai e quajti sanksionet “më të vështira ndonjëherë” mbi Teheranin dhe kërcënoi të ndëshkonte firmat evropiane që i shkelnin ato. Në përgjigje të mosveprimeve të palës tjetër kundrejt marrëveshjes bërthamore, zëdhënësi i Agjencisë për Energji Atomike të Iranit vuri në dukje moszbatimin e zotimeve të shteteve evropiane në kuadër të marrëveshjes bërthamore dhe deklaroi se Irani gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do ta shtojë sasinë e prodhimit të uraniumit mbi tavanin 300. Behruz Kamalvandi, zëdhënësi i Agjencisë për Energji Atomike të Iranit, ditën e hënë në një konferencë për shtyp, shpjegoi veprimet më të fundit teknike të Iranit në kuadër të ndërprerjes së zbatimit të disa zotimeve në kuadër të marrëveshjes bërthamore dhe shtoi: “Prodhimi i uraniumit të pasuruar në Iran është shtuar 4 herë më shumë dhe në rast të urdhrit të autoriteteve të Republikës Islamike të Iranit, kjo sasi do të shtohet edhe më shumë”. Kamalvandi tha se Irani pas kalimit të tavanit 300 kg të sasisë së uraniumit, do të përshpejtojë edhe procesin e prodhimit të uraniumit të pasuruar 3.67 shkallë.

Advertisements