Breaking News

SHBA insiston në pezullimin e taksës kundër Serbisë

Pezullimi i takës doganore, të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shihet si një veprim i domosdoshëm që Prishtina zyrtare duhet ta ndërmarrë ditëve në vijim, për të siguruar një rol më të madh amerikan në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi, pritet që të zhvillojnë takimin e radhës më 1 korrik në Paris, ku sërish po ngrihet edhe çështja e pezullimit të taksës doganore, qoftë edhe përkohësisht, për t’i dhënë rast dialogut. Zëvendësdrejtori për Çështjet Evropiane dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath, në një intervistë për mediat tha se Shtetet e Bashkuara, nuk mund të ndihmojë në dialog nëse nuk hiqen tarifat. Ai tha se SHBA-ja pritet të luajnë një rol më të madh në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, por pengesë mbetet taksa apo tarifa doganore. Ndërkohë, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jonathan Cohen, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku po diskutohet lidhur me Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm për punën tremujore të këtij misioni në Kosovë, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut. Ai ka thënë se duhet të hiqet taksa e vendosur për produktet serbe.

Advertisements