Breaking News

Deklarata e BE në përgjigje ndaj vendimeve të Iranit për marrëveshjen bërthamore

Bashkimi Evropian të enjten ka deklaruar se vendet anëtare të BE vazhdojnë të mbështesin marrëveshjen bërthamore, mirëpo refuzojnë çfarëdo lloj ultimatumi në lidhje me marrëveshjen bërthamore.

Agjencia e lajmeve IRNA duke cituar faqen informative të BE, njoftoi se Federica Mogherini, shefja e diplomacisë evropiane, dhe ministrat e punëve të jashtme të Anglisë, Francës dhe Gjermanisë në një deklaratë kanë deklaruar: “Mbështesim marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe do ta vlerësojmë zbatimin e angazhimeve të Iranit në kuadër të marrëveshjes bërthamore. Ne refuzojmë çfarëdo lloj ultimatumi në lidhje me marrëveshjen bërthamore”.

Në tekstin e deklaratës së BE thuhet: “Ne me shqetësime të mëdha po vërejmë deklaratën e Iranit në lidhje me zbatimin e angazhimeve të tij në kuadër të marrëveshjes bërthamore. Ne plotësisht jemi të zotuar për ta ruajtur dhe zbatuar tërësisht marrëveshjen bërthamore, sepse kjo është një marrëveshje kyçe në kuadër të mos përhapjes së armëve bërthamore. Ne fuqishëm kërkojmë nga Irani që të vazhdojë zbatimin e plotë të angazhimeve të veta në kuadër të marrëveshjes bërthamore dhe të mos marrë hapa që shtojnë tensionet”.

Në vazhdim të kësaj deklarate gjithashtu thuhet: “Ne refuzojmë çfarëdo lloj ultimatumi nga ana e Iranit dhe vlerësojmë me vëmendje respektimin e marrëveshjes bërthamore nga ana e Iranit dhe gjithashtu respektimin e traktatit NPT. Në këtë kuadër ne kujtojmë rolin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike në mbikëqyrjen dhe konfirmimin e vërtetësisë së zbatimit të angazhimeve të Iranit. Ne gjithashtu kërkojmë që Irani të vazhdojë të veprojë në bazë të formateve dhe mekanizmave të caktuara në bazë të marrëveshjes bërthamore siç është komisioni i përbashkët i marrëveshjes bërthamore. Njëkohësisht ne kujtojmë zotimin tonë të fuqishëm dhe të fortë ndaj marrëveshjes bërthamore dhe në këtë kuadër mund të vëmë në dukje përpjekjet për heqjen e sanksioneve në favor të popullit iranian. Ne shprehim keqardhje nga vendosja përsëri e sanksioneve nga ana e Amerikës kundër Iranit pas daljes së Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore”.

Në fund të kësaj deklarate thuhet: “Ne jemi të vendosur për të vazhduar masat përkatëse për të vazhduar tregtinë ligjore me Iranin. Ne kërkojmë nga vendet jo anëtare në marrëveshjen bërthamore që të mos kryejnë kurrfarë veprimesh të cilat do të pengojnë aftësinë e vendeve të mbetura në këtë marrëveshje për zbatimin e angazhimeve të tyre”.

Advertisements