Breaking News

Mediat botërore shkruajnë për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, thonë se fitoi kandidati properëndimor

Një pjesë e mediave botërore për raundin e djeshëm të zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut theksojnë se “fitues është kandidati properëndimor Stevo Pendarovski”.

“New York Times” nën titullin “Mbështetësi i ndryshimit të emrit është zgjedhur për president” bën të ditur se në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale është zgjedhur “kandidati i mbështetur nga Qeveria, i cili planifikon që ta anëtarësojë vendin në NATO me emrin e ri”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Gazeta bën të ditur se Stevo Pendarovski fitoi rreth 52 përqind të votave, përderisa kundër kandidatja e tij Gordana Siljanovska-Davkova fitoi rreth 45 përqind.

Gazeta britanike “Guardian” nën titullin “Bileta jonë për Evropë”: Maqedonia e Veriut zgjodhi president properëndimor”, thekson se në zgjedhjet fitoi kandidati i cili ishte përqendruar për ndryshim të emrit të shtetit dhe anëtarësimin në BE dhe NATO.

Lajmin për fitoren e Pendarovskit e publikuan edhe “Deutsche Welle”, agjencia kroate e lajmeve “HINA”, agjencia gjermane e lajmeve “DPA” dhe servisi britanik “BBC”, të cilat raportuan se fituesi në zgjedhjet presidenciale është kandidati i koalicionit qeveritar Pendarovski.

Përderisa agjencia turke e lajmeve “Anadollu” e transmeton deklaratën e Pendarovskit se do të jetë president i të gjithë qytetarëve.

Advertisements