Breaking News

Kërkohet përgjegjësi për nepotizmin, ndryshimet kadrovike paralajmërohen pas zgjedhjeve presidenciale

Kryeministri Zoran Zaev dje kërkoi përgjegjësi politike dhe profesionale nga funksionarët pas indikacioneve nga Komisioni Antikorrupsion për ndikim në nepotizëm gjatë punësimeve të caktuara, ndërsa njëkohësisht bëri thirrje për tërheqje urgjente nga vendet e punës të personave të cilët ishin punësuar në atë mënyrë.

Me qëndrim të ngjashëm dolën edhe zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe kryetari i Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas Zaevit, Komisioni Antikorrupsion ka treguar se është sistem dhe se përfundimisht kemi sistem që funksionon pa marrë parasysh se a iu pëlqen kjo politikanëve ose jo.

“Në Antikorrupsion ka komente konkrete ku nuk ka nepotizëm, ndërsa kemi edhe komente konkrete ku ka pasur ndikim për nepotizëm. Prej këtu kërkoj tërheqjen dhe drejtpërdrejt, si kryetar i Qeverisë, u jap urdhër institucioneve qeveritare që personat të cilët janë punësuar në atë mënyrë menjëherë t’u ndërpriten marrëdhëniet e punës dhe të tërhiqen mbrapa. Kërkoj përgjegjësi politike dhe profesionale nga të gjithë ata”, tha Zaev.

Advertisements